Për disa ishte një festë e pastër futbolli, për të tjerë një paradë gabimesh. Por ajo që është e sigurt, është se sfida spektakolare mes Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, e mbyllur 5-4 në Parc des Princes, ka ndezur pritshmëritë për përballjen e kthimit.
Të dy skuadrat zbresin sot në Allianz Arena për të vendosur finalistin e dytë të UEFA Champions League për sezonin 2025/26, i cili do t’i bashkohet Arsenal në finalen e madhe në Budapest. Trajnerët e dy skuadrave kanë bërë të qartë se nuk do të heqin dorë nga filozofia e tyre sulmuese.
“Pak veta e besonin në fillim të sezonit se do të kishim një shans me ndeshjen e fundit në shtëpi për të arritur në finalen e Ligës së Kampionëve. Tani që jemi këtu, kemi përjetuar momente të mrekullueshme dhe tifozët besojnë se do t’ia dalim dhe së bashku duam ta bëjmë këtë moment të paharrueshëm. Misioni është të fitojmë ndeshje. Kjo është e gjitha. Ata janë skuadra më e fortë në Evropë gjatë dy viteve të fundit. Nuk ka dyshim për këtë. Fituan Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, janë ende në gjysmëfinale këtë sezon dhe po e bëjnë këtë në një mënyrë bindëse. Kanë një cilësi në skuadër që është mjaft mbresëlënëse”, tha Kompany.
Për trajnerin e PSG-së, Luis Enrique, ekipet do të ruajnë identitetin, duke lënë të kuptohet se një tjetër përballje e hapur nuk është aspak e pamundur. Kampionët në fuqi të Europës mbërrijnë në Bavari të bindur se mund ta shkatërrojnë përsëri ekipin më të frytshëm të sezonit, edhe pse shifrat janë në favorin e tyre vetëm në Ligën e Kampionëve, 43 gola të shënuar krahasuar me 42 të Bayernit.
“Nuk e di nëse do të jetë ndryshe nga ndeshja e parë. Nuk mund ta them me siguri. Nuk mendoj se asnjëra skuadër do ta pranojë që tjetra mund të jetë më e mirë. Kjo është arsyeja pse besoj se do të shohim një tjetër ndeshje interesante dhe emocionuese. Kujt i intereson se çfarë pres unë ose çfarë do të ndodhë në të vërtetë? Besoj se do të shohim një ndeshje të nivelit të lartë midis dy ekipeve që janë ndër më të mirat në Evropë, dhe të dyja kanë një shans për të arritur në finalen e Ligës së Kampionëve. Sigurisht, me fitoren në ndeshjen e parë mund të kemi një motivim shtesë”, tha Enrique.
Finalja e Champions League luhet më 30 maj në stadiumin e Pushkash Arena në Hungari.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
