Balluku: Do t’i mbështesim nëse do shihet e arsyeshme

Në bazën e NATO-s në Kuçovë, e cila u inagurua disa ditë më parë mund të stërviten edhe ushtarë ukrainas. Kështu konfirmoi zv.kryeministrja Belinda Balluku pas mbledhjes së qeverisë.

“Padyshim në koordinim të plotë me NATO-n nëse do të shikohet e nevojshme dhe e arsyeshme sigurisht ne do jemi të gatshëm t’i mbështesim dhe të bëjmë edhe trajnimin e ushtarakëve ukrainas. Sa i përket kapaciteteve ju siguroj se baza e Kuçovës përmbush të gjitha kapacitetet dhe të gjitha kushtet moderne të të gjitha bazave tjera të NATO-s.”

Kjo qasje e qeverisë, vjen në kuadër të ndihmës së kërkuar nga presidenti Ukrainës Volodymyr Zelensky i cili e shprehu gjatë samitit të 28 Shkurtit në Tiranë.

Në mbledhjes e qeverisë, është marrë vendimi edhe për lehtësimin e vizave me disa shtete, detajet e së cilit i dha ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani.

“Vende të cilat janë kryesisht të gjirit, Arabia Saudite, Katari, Omani, por edhe Tajlanda që nuk është pjesë e gjirit përsa kohë që numrat kanë treguar në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit që numrat e turistëve kanë qenë gjithmonë në rritje sidomos vitin e kaluar dhe kërkesat vazhdojnë të jenë progresivisht në rritje.”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nënvizoi se rritja e numri të turistëve është inkurajuese dhe në këtë drejtim ky vendim motivon edhe më tej progresin pozitiv të rritjes së turizmit.

Klan News