Ekonomia botërore po përballet me një tjetër goditje të fortë. Në raportin e saj më të fundit, Banka Botërore paralajmëron se konflikti në Lindjen e Mesme po ushqen rritjen e çmimeve të energjisë, presione të reja inflacioniste dhe ngadalësim ekonomik në mbarë globin. Sipas raportit, rritja ekonomike globale pritet të zbresë në 2.5 për qind gjatë vitit 2026, niveli më i ulët që nga pandemia Covid-19.
“Konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar rritje të fortë të çmimeve të energjisë dhe ka rikthyer presionet inflacioniste. Rreziqet për ekonominë globale mbeten të orientuara kryesisht në kahun negativ”.
Për Shqipërinë, e cila mbetet importuese neto e energjisë, zhvillimet ndërkombëtare kanë rëndësi të drejtpërdrejtë. Banka Botërore pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.4 për qind në vitin 2026, më ngadalë se një vit më parë.
“Nëse ndërprerjet e furnizimit me energji rezultojnë më të rënda sesa parashikohet dhe shoqërohen me tensione të forta financiare, rritja ekonomike globale mund të bjerë deri në vetëm 1.3 për qind në vitin 2026. Çmimet e mallrave bazë pritet të rriten me 22 për qind gjatë këtij viti. Ndërkohë, çmimet e energjisë parashikohet të mbeten të larta përgjatë gjithë vitit”.
Në këtë panoramë të pasigurt, Banka Botërore kërkon më shumë bashkëpunim ndërkombëtar për sigurinë energjetike dhe ushqimore.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 