Ekonomia shqiptare pritet të ketë një nga ritmet më të larta të rritjes në Ballkanin Perëndimor gjatë këtij viti.

Kjo bëhet e ditur në raportin më të fundit të Bankës Botërore në “Përditësimi Ekonomik për Europën dhe Azinë Qendrore – Tetor 2026.”

Për Shqipërinë nënvizohet në raport se turizmi dhe ndërtimi pritet të vijojnë të mbështesin aktivitetin ekonomik, duke kontribuar në të ardhurat e sipërmarrjeve dhe të qytetarëve.

Shqipëria përfshihet mes ekonomive ku ardhjet turistike kanë vijuar të rriten, pavarësisht kostove më të larta të transportit apo problemeve që lidhen me udhëtimet ndërkombëtare.

Sa i përket projeksioneve të Bankës Botërore për rritjen ekonomike të vendit tonë, në raport thuhet se rritja ekonomike gjatë këtij viti do të jetë 3.4%, ndërsa përgjatë dy viteve të ardhshme ajo do të pësojë rritje të mëtejshme përkatësisht 3.6% në 2027 dhe 3.7% në vitin 2028.

Nga ana tjetër lidhur me tregun e punës, Banka Botërore vëren se norma e papunësisë ka rënë në Shqipëri.

Një element tjetër i rëndësishëm në raportin e institucionit ndërkombëtar që evidentohet është se Shqipëria ndodhet mes vendeve që kanë avancuar më shumë me reformat e lidhura me integrimin në Bashkimin Europian.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria dhe Mali i Zi kryesojnë në përparimin në reforma, ndërsa këto dy shtete kanë forcuar edhe institucionet fiskale.

Banka Botërore nënvizon se ndër masat e ndërmarra në Shqipëri është financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe reforma në tatimin e pronës.

Gjithashtu në raportin e fundit të intistucionit ndërkombëtar thuhet se inteligjenca artificiale ka potencialin të kompensojë rënien e produktivitetit dhe të rigjallërojë zgjerimin ekonomik, të të gjitha vendeve dhe ekonomive të rajonit.

Klan News

/tvklan.al