Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe ai i Këshillit Europian António Costa, udhëheqësit e dy institucioneve kryesore të Bashkimit Europian, kanë shkuar sot, 24 shkurt, në Kiev për 4-vjetorin e pushtimit të gjerë rus, me shumë fjalë mbështetjeje, por…me duar bosh!

Ata po ofrojnë një imazh të pafuqisë dhe paralizës, pavarësisht se BE-ja dhe shtetet anëtare kanë dhënë gati 200 miliardë euro ndihma ekonomike, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, duke zënë vendin e Shteteve të Bashkuara si kontribuesi kryesor i përpjekjes për mbrojtje kundër Rusisë.

Fajtorët janë Viktor Orbán dhe Robert Fico.

Kryeministrat e Hungarisë dhe Sllovakisë kanë vendosur veton për paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, që BE-ja duhej ta miratonte në këtë përvjetor.

Fico ka zbatuar kërcënimin për të reduktuar furnizimet emergjente të energjisë elektrike që stabilizojnë rrjetin ukrainas, i dëmtuar rëndë nga bombardimet ruse. Ndërkohë, Orbán ka ndërprerë furnizimet me naftë dizel dhe kërcënon të bëjë të njëjtën gjë me energjinë elektrike.

Për këtë veprim, Kryetarja e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, dhe Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, akuzuan kryeministrin hungarez se ka shkelur parimin e bashkëpunimit të sinqertë.

Orbán u përgjigj kështu:

Jam një nga anëtarët më të disiplinuar dhe më të qëndrueshëm të Këshillit Europian. Ju gjithashtu e shihni absurditetin e situatës: ne marrim një vendim financiarisht të favorshëm për Ukrainën, të cilin unë personalisht nuk e aprovoj, pastaj Ukraina krijon një emergjencë energjetike në Hungari, dhe ju më kërkoni të bëj sikur asgjë nuk ka ndodhur. Kjo nuk është e mundur. Nuk mund të mbështes asnjë vendim për Ukrainën deri sa ata të kthehen në normalitet.


Kush ndodhet në Kiev?

Përveç Presidentit të Këshillit Europian, António Costa dhe Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Kiev ndodhen edhe udhëheqësit e Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Islandës, Letonisë, Lituanisë, Kroacisë, Norvegjisë dhe Suedisë.

Sekretari për shtyp i Zelensky-t, Serhii Nykyforov, tha se programi i plotë i ditës nuk do të publikohet paraprakisht për shkak të çështjeve të sigurisë.

Sipas Nykyforov, udhëheqësit e huaj do të vizitojnë një objekt të infrastrukturës energjetike që është shkatërruar nga bombardimet ruse. Gjithashtu, do të zhvillohet një mbledhje e “Koalicionit të Gatshëm” dhe Samiti Ukrainë-Nordik-Baltik.

Duhet theksuar se mungojnë përfaqësuesit e administratës Trump.

Në një fjalim kushtuar përvjetorit të 4-ërt të pushtimit të gjerë rus, Zelensky i bëri thirrje Trump-it që të vizitojë Kievin.

“Unë vërtet dëshiroj të vij këtu një ditë me presidentin e Shteteve të Bashkuara. E di me siguri: vetëm duke ardhur në Ukrainë, dhe duke parë me sytë tuaj jetën dhe luftën tonë, duke ndjerë njerëzit tanë dhe madhësinë e këtij dhimbjeje, vetëm atëherë mund të kuptosh se për çfarë ka të bëjë kjo luftë.”

Një vizitë në Ukrainë, sipas tij, mund t’ia bëjë të qartë presidentit amerikan “kush është agresori dhe kujt duhet t’i ushtrohet presioni”.