Bashkimi Evropian do të japë në ditët në vijim edhe 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi, si pjesë e planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor.

Lajmi u bë i ditur nga Komisionerja për zgjerimin Marta Kos në takimin në Bruksel të ministrave të jashtëm evropianë me ata nga rajoni ynë.

“Zbatimi i planit të rritjes po ecën mirë. Ne do të shpërndajmë së shpejti rreth 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ne po arrijnë rezultate të prekshme kur bëhet fjalë për integrimin gradual. Siç e dini javën e kaluar Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë në marrëveshjen SEPA. Zgjerimi është përparësi për Bashkimin Evropian. Nëse shtetet kandidate arrijne sukses me reformat, atëherë edhe ne duhet që të mbajmë premtimet”, tha Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos.

Për bashkëpunimin e ngushtë me shtetet e rajonit tonë, ka folur gjithashtu shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas e cila ka theksuar nevojën që këto shtete të përballen me kërcënimet hibride.

“Po diskutojmë, me ministrat e jashtëm për zgjerimin se çfarë më shumë mund të bëjmë që këto shtete të Ballkanit Perëndimor mund të ecin përpara me reformat. Kemi po ashtu si cështje në diskutim edhe bashkëpunimin në lidhje me përballjen e këtyre shteteve me kërcënimet hibride që paraqiten edhe në këtë rajon pasi ne konsiderojmë si sulme kundër demokracisë së tyre. Ajo që presim prej këtyre shteteve është harmonizimi me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë dhe reformat që duhet të bëjnë”, u shpreh përfaqësuesja e politikës së Jashtme e BE-së, Kaja Kallas.

Kallas, tha se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore përse, prej kohësh, nuk ka pasur një raund të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivel liderësh.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryediplomati Hoxha, i cili u tha homologëve të tij evropianë se Shqipëria është e vendosur të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbetur në pararojë të procesit të zgjerimit.

Klan News

/tvklan.al