Brukseli është përfshirë nga debate të forta pas vendimit të papritur të presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, për të hapur një kanal diplomatik komunikimi me Rusinë, në një përpjekje për të vlerësuar nëse ekzistojnë kushtet për nisjen e negociatave të paqes.
Ky hap ka shkaktuar tension brenda Bashkimit Europian, pasi disa liderë të vendeve anëtare thonë se nuk janë konsultuar paraprakisht.
Sipas burimeve diplomatike, disa shtete e kanë mësuar iniciativën vetëm përmes mediave.
Gjatë samitit në Bruksel, çështja dominoi diskutimet mes 27 liderëve, duke nxjerrë në pah ndarjet e thella mbi mënyrën se si duhet të trajtohet raporti me Moskën.
“Presidenti shpjegoi se i kishte kërkuar kabinetit të tij të hapte një kanal diplomatik me Rusinë. Qëllimi ishte të jemi gati, kur të vijë momenti i duhur, për të mbrojtur interesat e BE-së”, u shpreh një zëdhënës evropian, raportojnë mediat e huaja.
Ndërkohë, disa vende si Polonia, shtetet baltike dhe disa vende nordike janë shprehur se nuk është momenti i duhur për kontakte të drejtpërdrejta me Kremlinin.
Nga ana tjetër, vende si Sllovenia, Austria dhe Belgjika kanë mbështetur idenë se çdo hap që mund të çojë drejt negociatave duhet inkurajuar. Edhe Ukraina, përmes presidentit Volodymyr Zelenskyy, ka theksuar më herët nevojën që Europa të ketë rol më aktiv në procesin e paqes.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 