Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë mbledhur këtë të enjte në Bruksel për të shqyrtuar një axhendë të ngjeshur mbi “çështjet e nxehta”, si Groenlanda, Ukraina, Lindja e Mesme dhe më gjerë.
Në mbërritje, shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, komentoi mbi idenë e krijimit të një ushtrie evropiane.
“Nuk mund ta imagjinoj që vendet do të krijojnë një ushtri të veçantë evropiane. Për mua është e kuptueshme që në ushtri duhet të kesh një zinxhir komande shumë të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshëm. Nëse krijojmë struktura paralele, atëherë kjo thjesht do ta bënte më të paqartë situatën”, tha Kallas.
Në të njëjtën kohë, nga Bundestagu, kancelari gjerman Merz tha se Evropa duhet të rrisë aftësitë e saj mbrojtëse dhe teknologjike për të zvogëluar varësitë e ndërtuara në dekadat e fundit.
“Aleanca e NATO-s dhe besimi mbeten garancia më e mirë e lirisë, paqes dhe sigurisë në të dyja anët e Atlantikut. Kjo është arsyeja pse ne, evropianët, duam ta ruajmë NATO-n, ta forcojmë atë brenda Evropës dhe në Evropë. Prandaj ne gjithmonë do t’u shtrijmë dorën e bashkëpunimit Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne jemi partnerë dhe aleatë, jo vartës”, u shpreh Merz.
Më herët këtë javë, shefi i NATO-s, Mark Rutte, hodhi poshtë thirrjet për një ushtri të veçantë, të nxitura nga dyshimet mbi angazhimin e Donald Trump ndaj sigurisë së kontinentit, të cilat u përshkallëzuan nga tensionet mbi Groenlandën.
Ndërkaq, kryediplomatët e BE-së vendosën ta shpallin organizatë terroriste, Gardën Revolucionare iraniane.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
