Në forumin për sigurinë në Bruksel, Presidentja e PE-së Roberta Metsola propozoi masa konkrete për tu përballur me sulmet kibernetike ndaj shteteve demokratike në kontinentin tonë.

“Ne jemi këtu për të gjeneruar ide, për t’u angazhuar drejt përparimit real në çështjet që kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare. Nga luftimi i sulmeve kibernetike e deri te forcimi i zinxhirëve të furnizimit për mbrojtjen, në mënyrë që të mund ta mbrojmë demokracinë në vijën e parë dhe përtej saj. Duhet të shtrijmë bashkëpunimin në mbarë botën me partnerë që ndajnë të njëjtat vlera, për t’u mbështetur te njëri-tjetri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se teknologjitë e reja po hapin fronte të reja të luftës hibride”, tha Presidentja e PE, Roberta Metsola.

Sekretarja e Përgjithshme e BE-së Kajsa Ollongren ka vlerësuar kontributin e shteteve kandidate si Shqipëria me personel, asete operacionale dhe ekspertizë.

“Partneritetet ndërtohen mbi interesa të përbashkëta, por edhe mbi vlera të përbashkëta. Operacionet ushtarake dhe civile të BE-së janë një shembull i kësaj. Gjatë dy dekadave të fundit, 45 vende kanë kontribuar me personel, asete operacionale dhe ekspertizë. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia kanë kontribuar për shembull në EUFOR Althea në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në misionin tonë të sundimit të ligjit në Kosovë”, tha Sekretarja e Përgjithshme e BE-së, Kajsa Ollongren.

Shtetet anëtare të BE-së sot shpenzojnë mbi 400 miliardë euro për mbrojtje. Kjo është 2.2% e PBB-së të përbashkët. Brenda dy viteve kjo shumë do të shkojë në 150 miliardë euro.

Në buxhetin e ardhshëm afatgjatë BE-ja, do të ketë pesë herë më shumë financime për mbrojtjen dhe lëvizshmërinë ushtarake sesa sot.

Klan News

/tvklan.al