Kapitulli 27, i përkushtuar Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, përfaqëson një nga sfidat më të mëdha dhe më thelbësore në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky kapitull nuk përfshin vetëm një vëllim të madh ligjërash, me mbi 200 direktiva dhe rregullore, por kërkon edhe investime të konsiderueshme kohore dhe financiare. Megjithatë, rruga drejt përafrimit me standardet evropiane është një rrugë e garantuar drejt një cilësie më të mirë jete dhe një ekonomie më qëndrueshme dhe konkurruese.
Edvin Pacara, Menaxher i Programit “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike” në BE, tha për emisionin Pro Business në Tv Klan se ndikimi i përafrimit të ligjërisë do të jetë i dukshëm dhe thelbësor për shoqërinë shqiptare. “Jeta e shoqërisë shqiptare do të ndryshojë për mirë,” thekson Pacara. Do të arrijmë në ujë dhe tokë më të pastër, ushqime më të sigurta dhe një sistem më efikas menaxhimi të mbetjeve. Kjo do të thotë të jetosh sipas standardeve që shqiptarët e shohin në vendet e BE-së.
Shqipëria ka një afat të shkurtër, 15 muaj, për të përafruar legjislacionin, por po bën hapa të shpejtë. Ky përpjekje intensive është një investim në të ardhmen: pas anëtarësimit, bizneset shqiptare do të kenë qasje në një treg të gjerë evropian dhe në një sërë mekanizmash financimi të BE-së për të ndihmuar tranzicionin e gjelbër.
BE-ja ofron mjete të ndryshme për të ndihmuar bizneset dhe komunitetet në këtë tranzicion. Pacara përmendi disa prej tyre:
Programi LIFE: Mbulon mbrojtjen e natyrës, ekonomitë qarkulluese dhe energjinë e pastër.
Fondi Social për Klimën (Social Climate Fund): Mbështet bizneset dhe individët e prekur nga koston në rritje të energjisë gjatë kalimit në ekonomi qarkulluese.
Fondi Evropian për Efiçencën e Energjisë (European Energy Efficiency Fund): Financon projektet e efikasitetit dhe të energjisë së rinovueshme.
Fondi për Inovacion të BE-së (EU Innovation Fund): Drejtohet drejt startup-ave dhe kompanive për inovacion në fushën e gjelbër.
Mekanizmi për Tranzicion të Drejtë (Just Transition Mechanism): Ndihmon në kalimin nga një ekonomi e bazuar në karbon në një ekonomi neutrale.
Projekti i BE-së “EU4GREEN” po e çojë këtë mesazh drejtpërdrejt te bizneset dhe qytetarët nëpërmjet fushatas “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër”. Miriam Neziri Angoni, Drejtuese e Projektit “EU4GREEN GEN”, shpjegon se fokusi është tek bizneset, pasi ato janë zemra e ekonomisë. “Synojmë të rrisim shkallën e ndërgjegjësimit për një ekonomi të gjelbër dhe të ofrojmë mundësi financimi,” thotë ajo.
Start-up inovativ i mbështetur nga BE
Tranzicioni i gjelbër po merr formë të prekshme edhe nëpërmjet iniciativave lokale. Kristina Gjini, një arkitekte, është një shembull i fuqishëm. Me një grant prej 10 mijë eurosh nga BE-ja, ajo zhvilloi një start-up për mure dekorative me bimësi natyrale, të njohura si “mure të gjelbra”.
“Dashuria për natyrën dhe të qenurit arkitekte kanë qenë binomi i duhur për këtë projekt,” tregon Kristina. Ideja e saj inovative tashmë po përdoret në zyra, hotele, bare dhe restorante, duke sjellë një frymë natyre në ambientet e brendshme dhe duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mirëqenies.
Rruga e Shqipërisë drejt ekonomisë qarkulluese është e qartë dhe e mbështetur aktivisht nga Bashkimi Evropian. Nga përafrimi i ligjeve në ndërtimin e impianteve të trajtimit dhe impianteve të riciklimit, deri te mbështetja për start-up-et inovative dhe trajnimi i bizneseve për të përqafuar modele të reja, të gjitha hapat janë të ndërlidhur.
/tvklan.al












Botërori 2026 
