Italia ka miratuar një paketë masash për përballimin e situatës së krijuar nga rritja e çmimeve të karburanteve si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme. Nisma përfshin uljen e çmimit të naftës me 25 centë për litër, kredi tatimore për transportuesit dhe një mekanizëm anti-spekulim.

“Ky mekanizëm do të na lejojë të ndalojmë menjëherë rritjet e pajustifikuara dhe të sigurohemi që kompanitë e naftës dhe shitësit me pakicë të ulin çmimet e karburantit në përputhje me rënien e çmimeve globale të naftës bruto”, shprehet Meloni.

Ndërkaq, liderët e Bashkimit Evropian, të mbledhur në Bruksel, nuk arritën një marrëveshje për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, madje edhe nën presionin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndihmuar në ruajtjen e rrugës ujore strategjike.

Disa vende të BE-së argumentojnë se BE-ja nuk u konsultua për këtë luftë, kështu që nuk u takonte atyre të ndërhynin në emër të Trump-it, sipas një diplomati të BE-së, i cili shtoi se udhëheqësit e BE-së kryesisht thonë se nevojitet de-eskalim, edhe nëse kanë pak ndikim në këtë çështje.

Varësia e madhe nga importet e energjisë e ka bërë Europën një nga kontinentet më të ekspozuara nga ndalimi i transportit në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa çmimi i gazit është rritur më shumë se 60% që nga nisja e konfliktit tre javë më parë.

Pavarësisht presionit të lartë nga vendet anëtare, kryeministri hungarez Viktor Orbán vendosi sërish veton për ndihmën 90 miliardë euroshe të unionit për Ukrainën, duke e kushtëzuar sërish me hapjen e tubacionit Druzhba për importin e naftës nga Rusia, të mbyllur nga Kievi dhe të shndërruar në një mollë sherri mes dy vendeve.

Tv Klan

/tvklan.al