Të dielën e datës 12 tetor, Bashkimi Evropian nis zbatimin gradual të sistemit të ri të sigurisë Entry-Exit System (EES), i cili regjistron gjurmët e gishtërinjve dhe fotografitë biometrike të udhëtarëve që hyjnë ose dalin nga zona Shengen.

Aeroportet, portet dhe terminalet hekurudhore në të gjithë Evropën janë në gatishmëri për vonesa dhe ngarkesë në pikat kufitare.

Çfarë është EES?

EES është një sistem digjital që do të zëvendësojë vulat manuale të pasaportave dhe do të ndihmojë autoritetet të identifikojnë automatikisht personat që tejkalojnë afatin e vizave ose qëndrimit të lejuar. Komisioneri i BE-së për punët e brendshme, Magnus Brunner, e cilësoi sistemin si “shtylla digjitale e menaxhimit të ri të kufijve”.

Pas disa shtyrjeve për shkak të problemeve teknike dhe shqetësimeve për ndërprerje të udhëtimeve, sistemi do të zbatohet hap pas hapi dhe pritet të jetë plotësisht funksional më 10 prill 2026. Gjatë gjashtë muajve të parë, vendet anëtare do të kenë kohë të përshtaten me sistemin.

Regjistrimi i parë biometrik do të zgjasë më shumë se kontrollet e zakonshme, duke shkaktuar pritje më të gjata. Financial Times shkruan se Eurostar dhe Eurotunnel kanë investuar miliona euro për të përgatitur kioska vetëshërbimi dhe staf shtesë. Në fillim, kontrollet do të aplikohen për drejtuesit e kamionëve dhe pasagjerët e klasës së biznesit.

Ku fillon zbatimi? Në Gjermani, kontrollet biometrike nisin të dielën në aeroportin e Düsseldorf, më pas në Frankfurt dhe Mynih. Holanda do të nisë në portet IJmuiden dhe Eemshaven, ndërsa në aeroportin Schiphol më 3 nëntor. Në Britani, udhëtarët që përdorin Tunelin e Kanalit ose tragetet do të kontrollohen në pikat kufitare në Angli.

Kush përjashtohet nga kontrollet? Kontrollet nuk do të aplikohen për personat me leje qëndrimi në BE ose me viza afatgjata. Menaxhimi i pikave kufitare do të jetë përgjegjësi e vendeve anëtare, jo e operatorëve të aeroporteve.

Zyrtarë të industrisë së udhëtimit e kanë mirëpritur zbatimin e shkallëzuar të sistemit, duke theksuar nevojën për staf të mjaftueshëm policor dhe për përjashtimin e ekuipazheve ajrore nga vonesat. Eurostar ka investuar mbi 10 milionë euro për të dyfishuar kapacitetin kufitar në stacionin St Pancras dhe për të ruajtur kohët e zakonshme të check-in-it.

Ky sistem pritet të sjellë një epokë të re në menaxhimin e kufijve evropianë, por zbatimi i tij do të jetë një sfidë logjistike për të gjitha palët e përfshira.

/tvklan.al