Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po përgatiten për bisedime të mundshme me presidentin rus Vladimir Putin, raportoi Financial Times, duke cituar një zyrtar të lartë.
Sipas artikullit të publikuar këtë të enjte, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se parashikon mundësinë e negociatave të drejtpërdrejta me Moskën dhe shtoi se Unioni ka mbështetjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të vazhduar me këtë veprim.
Informacioni vjen pasi presidenti rus ka njoftuar një armëpushim dyditor në konfliktin me Ukrainën, më 8–9 maj, me rastin e përvjetorit të disfatës së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
“Nëse Ukraina përpiqet të prishë festimet e Ditës së Fitores, do të ketë hakmarrje masive me një sulm me raketa në qendër të Kievit”, paralajmëroi gjithashtu Ministria Ruse e Mbrojtjes.
Nga ana e tij, Zelensky kishte propozuar një armëpushim nga 6 maji, në përgjigje të një propozimi rus për një armëpushim më 8–9 maj. Sipas tij, ky armëpushim që ai propozoi u shkel nga rusët.
Raportet për një urë komunikimi mes Brukselit dhe Moskës për herë të parë që nga nisja e konfliktit vijnë kur lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë dhe negociatat e deritanishme janë ngrirë.
Uashingtoni, i cili ka bërë përpjekje të vazhdueshme si ndërmjetës për t’i rikthyer palët në tryezën e bisedimeve, e ka hequr vëmendjen nga ky konflikt për t’u fokusuar në Lindjen e Mesme.
/tvklan.al












Botërori 2026 
