Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe homologët e tyre nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor diskutuan në Luksemburg dokumentin orientues për bashkëpunimin me vendet e rajonit.

Ata kërkuan përshpejtimin e procesit te zgjerimit. Kryediplomati shqiptar Igli Hasani rikonfirmoi përafrimin e plotë të Shqipërisë me politikat e jashtme dhe ato të sigurisë të Bashkimit Evropian si dhe nënvizoi integrimin gradual si një prej mekanizmave të duhur për zgjerimin e BE-së.

“Ne duhet të bashkëpunojmë më ngushtë dhe të forcojmë koordinimin. Kështu mundemi që përmes demokracive tona dhe shtetit ligjor të mbrojmë sigurinë dhe mirëqenien e popujve tanë, popujve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi ministri Hasani.

Hasani u prit në takim nga Komisioneri Varhelyi, si dhe u takua me homologët hungarezë e letonezë.

Sipas shefit të diplomacisë evropiane në largim, Josef Borrell, gjatë kohëve të fundit Bashkimi Evropian ka rritur bashkëpunimin me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme.

Borrell u tha kryediplomatëve ballkanikë se BE-ja e konsideron këtë si prioritet, pasi sfidat për sigurinë e këtij rajoni janë të ngjashme me ato që përballet edhe BE-ja.

Klan News