Bashkimi Evropian po përgatitet të ndryshojë rregullat e prokurimeve publike, duke u dhënë më shumë përparësi kompanive evropiane në kontratat për shërbime strategjike. Masa prek sektorë si energjia, uji, hekurudhat, portet, aeroportet dhe shërbimet postare dhe shihet si një hap i drejtpërdrejtë për të kufizuar praninë e kompanive kineze në tregun evropian.
Komisioni Evropian prezantoi të mërkurën një propozim ligjor që do t’u lejojë autoriteteve publike të vendeve të BE-së të favorizojnë kompanitë evropiane kur zhvillojnë tenderë për shërbime të rëndësishme.
Propozimi vjen në një periudhë kur marrëdhëniet tregtare mes BE-së dhe Kinës janë të tensionuara. Evropa ka një deficit të madh tregtar me Pekinin, që sipas Komisionit arrin në rreth 1 miliard euro në ditë. Tregu i prokurimeve publike në Evropë ka një vlerë prej rreth 2 trilionë eurosh në vit, ose rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të BE-së.
“Paratë publike duhet t’u shërbejnë interesave tona të përbashkëta”, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Stéphane Séjourné.
Sipas propozimit, autoritetet publike do të mund të përjashtojnë nga tenderët kompanitë që vijnë nga vende që nuk u japin kompanive evropiane mundësi të barabarta për të marrë pjesë në prokurimet e tyre publike.
Kjo do të thotë se një bashki apo institucion publik në BE mund të përjashtojë një kompani kineze, por edhe një kompani evropiane që ofron produkte të prodhuara në Kinë. Autoritetet do të mund të favorizojnë gjithashtu ofertat evropiane duke u dhënë atyre më shumë pikë gjatë vlerësimit.
Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën se si vlerësohen ofertat. Sipas Komisionit, të paktën 30% e vlerësimit të produkteve në tenderët publikë duhet të bazohet në cilësi dhe jo vetëm në çmim. Kjo mund të ndikojë veçanërisht te produktet kineze me kosto të ulët.
“Standardi i ri duhet të jetë raporti më i mirë mes cilësisë dhe çmimit, dhe jo vetëm çmimi”, tha Séjourné.
Sipas tij, në vlerësimin e ofertave duhet të merren parasysh edhe kriteret sociale, mjedisore dhe interesat strategjike të Evropës.
Propozimi ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Kina. Dhoma Kineze e Tregtisë në BE paralajmëroi se një politikë e tillë mund të krijojë kushte të pabarabarta për kompanitë kineze në tregun evropian. Pekini argumenton se prokurimet publike nuk duhet të diskriminojnë kompanitë apo produktet në bazë të kombësisë së kompanisë ose origjinës së produkteve.
Ky nuk është propozimi i parë i BE-së për të favorizuar kompanitë evropiane. Në mars, Komisioni paraqiti një tjetër plan për të krijuar përparësi për kompanitë evropiane në sektorë strategjikë, si teknologjitë e gjelbra, industria e automjeteve dhe sektorët me konsum të lartë energjie. Edhe atëherë Kina reagoi ashpër dhe kërcënoi me masa hakmarrëse.
Propozimi i ri duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së për të hyrë në fuqi. Ndërkohë, komisioneri evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, pritet të udhëtojë në Kinë në fillim të tetorit, me synimin për të arritur një marrëveshje politike me Pekinin dhe për të ndryshuar ekuilibrin e marrëdhënieve tregtare mes BE-së dhe Kinës.
/tvklan.al












Botërori 2026 
