Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka shënuar një tjetër sukses në muzikë. Kënga e saj “New Religion” ka zënë vendin e 35-të në listën e 50 këngëve më të dëgjuara nga artistet femra në Spotify, sipas renditjes që këngëtarja ka ndarë me ndjekësit e saj.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rexha përmes një postimi në platformën X, ku ka publikuar edhe listën përkatëse, duke shprehur krenarinë për këtë rezultat, veçanërisht në këtë fazë të re të karrierës.
“Fakti që ‘New Religion’ renditet në vendin e 35-të në listën Top 50 të Spotify-t është vërtet i jashtëzakonshëm”, ka shkruar artistja.
Ky sukses vjen pas një vendimi të rëndësishëm profesional të këngëtares, e cila u nda nga kompania diskografike Warner Records për të vijuar karrierën në mënyrë të pavarur. Një zgjedhje që, siç ka theksuar ajo, shoqërohet me sfida të shumta, sidomos në një industri ku artistët e mbështetur nga kompanitë e mëdha kanë më shumë mundësi financiare dhe struktura të fuqishme promovimi.
Rexha ka vënë në dukje se “New Religion” është i vetmi projekt në këtë renditje që i përket një artisteje të pavarur, duke e bërë edhe më domethënës rezultatin e arritur.
“Jam krenare që vendosa t’i besoja vetes dhe akoma më krenare për atë që po ndërtojmë. Faleminderit që jeni pjesë e këtij rrugëtimi. Nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por ka qenë një rrugëtim i bukur”, është shprehur ajo.
Për këngëtaren, ky pozicionim në Spotify nuk është thjesht një tjetër sukses në platformat muzikore, por edhe një motivim për të vazhduar rrugën që ka zgjedhur, duke pasur më shumë kontroll mbi karrierën dhe krijimtarinë e saj.
Ndërkohë, Rexha ka falënderuar fansat për mbështetjen, duke e cilësuar këtë arritje si një moment të veçantë në kapitullin e ri të rrugëtimit të saj artistik.
/tvklan.al












Botërori 2026 
