Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Takimin e Nivelit të Lartë “Në Mbrojtje të Demokracisë: Lufta Kundër Ekstremizmit”, që u zhvillua në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj paraqiti angazhimin e institucioneve shqiptare, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe alternativat përballë sfidave aktuale dhe të ardhshme. Ai theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj vlerave të rrënjosura në parimet e OKB-së.
“Pasi ka kaluar dekada izolimi autoritar, ne e dimë çfarë kushton të jetosh pa liri. Kalimi ynë drejt një demokracie të hapur na ka mësuar një të vërtetë të qëndrueshme: demokracia nuk është thjesht një sistem qeverisjeje, ajo është një akt i vazhdueshëm besimi, përfshirjeje dhe rinovimi. Atje ku mungojnë këto vlera, gjen terren ekstremizmi”.
Presidenti i Republikës vuri në dukje mekanizmat përmes të cilëve funksionon sistemi demokratik në Shqipëri, si dhe nismat e ndërmarra në përputhje me strategjitë e Kombeve të Bashkuara në luftën kundër ekstremizmit.
Democracy is not only a system of governance, but a constant act of trust, inclusion & renewal.
— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) September 24, 2025
At the UN High-Level Meeting “In Defense of Democracy – The Fight Against Extremism,” I reaffirmed Albania’s commitment to a fairer, freer & more peaceful world, highlighting our… pic.twitter.com/FMvFGQQOwb
Ai theksoi se strategjia kombëtare e Shqipërisë fuqizon të rinjtë, gratë, familjet dhe pakicat përmes rrjeteve kulturore, arsimore dhe fetare.
“Duke nxitur përkatësinë dhe qëllimin, ne i mohojmë ideologjive ekstremiste hapësirën për t’u rrënjosur. Këto iniciativa janë zemra e modelit tonë”.
Presidenti Begaj nënvizoi rolin e Qendrës për Koordinimin kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, e cila bashkon institucionet shtetërore, shoqërinë civile, liderët fetarë dhe komunitetet lokale. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e programeve konkrete për edukimin ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, duke i cilësuar si investime afatgjata në një brez që do të çojë përpara vlerat e tolerancës dhe unitetit.
“Kur qytetarët humbasin besimin tek ata që i qeverisin, legjitimiteti cenohet dhe shoqëria bëhet më e cenueshme ndaj ndarjes dhe ekstremizmit. Përgjigjja e Shqipërisë është e qartë: qeverisje gjithëpërfshirëse dhe institucione demokratike të forta”.
Ky ishte takimi i dytë i mbajtur në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me synim forcimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër regresit demokratik global.
/tvklan.al












Botërori 2026 
