Në 30-vjetorin e kremtimit të marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, kreu i shtetit Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Urdhrin Sovran të Maltës, ku u prit me një ceremoni të veçantë në Vilën Magjistrale nga Princi dhe Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran të Maltës.

Në këtë vizitë zyrtare, kreu i shtetit shqiptar shoqërohej nga Ambasadorja pranë Urdhërit të Maltës Majlinda Frangaj.

Presidenti Begaj e vlerësoi të suksesshme periudhën 30-vjeçare të marrëdhënieve dypalëshe sidomos në fushën humanitare dhe shëndetësore. Ndër të tjera, vlerësoi solidaritetin dhe humanizmin e këtij Urdhri që ka lënë gjurmë në vendin tonë përmes realizimit të projekteve në fusha të ndryshme, dhe asistencës për shtresat në nevojë.

Një mirënjohje të veçantë Presidenti i Republikës përcolli për ndihmën nga Urdhri Sovran i Maltës në rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrimtar të nëntorit të vitit 2019.

Klan News