Fredi Beleri eurodeputeti që përfaqëson Greqinë në Strasburg e Bruksel u rikthye në qelinë e Burgut të Fierit rreth orës 15.30 pas përfundimit të lejes 5 ditore që iu dha nga autoritetet shqiptare. Ai u betua në Parlamentin Evropian të martën ndërsa është pjesë e disa komisioneve.

Në një prononcim për mediat para se të rikthehej në qelinë e tij, Beleri deklaroi se Himara do të jetë pjesë e Shqipërisë evropiane. Ndërkohë që ofroi bashkëpunim edhe me kandidatin socialist për bashkinë e këtij qyteti, Vangjel Tavo.


Fredi Beleri, eurodeputet: Mirëpres deklaratat e zotit Tavo edhe pse është përfaqësues i keqbërësit më të madh të Himarës në këto vitet e fundit. I bëj ftesë zotit Tavo që të japim duart të bashkëpunojmë, që të nxjerrim në krye të Bashkisë Himarë të nxjerrim zotin Petro Gjikuria, i cili do të na nderojë dhe do të punojë për Himarën.

Beleri u shoqërua nga Petro Gjikuria kandidati i ri i opozitës për postin e kryebashkiakut në zgjedhjet që do të zhvillohen në Himarë me 4 Gusht. Beleri tha se Gjikuria është një figurë më e përshtatshme se ai.

Fredi Beleri, eurodeputet: Jam shumë i gëzuar që më shoqëroi sot në burg kandidati për Bashkinë e Himarës, zoti Petro Gjikuria, një djalë i mirëfilltë i Himarës që s’ka lidhje me mercenarët që sjell pushteti për të komanduar Himarën. Himara në duart e Petro Gjikurisë do të jetë e sigurt. Himara do të ketë vend në Bruksel, Amerikë do të jetë pjesë e një Shqipërie evropiane dhe që këtej e tutje na presin vetëm ditë të mira.

Fredi Beleri u kthye mëngjesin e të shtunës në aeroportin e Rinasit. Ai ka kërkuar lirim me kusht, teksa pritet vendimi nga Gjykata e Fierit .

Në këto 5 ditë lirie, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës tashmë eurodeputetet zhvilloi një sërë takimesh me kryeministrin grek Mitsotakis dhe figura të tjera të politikës greke. Ai e konsideron dënimin për blerje votash më 14 Maj të vitit të kaluar si të padrejtë, ndaj paralajmëroi se do ta dërgojë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Klan News