Belgjika fitoi 3–2 ndaj Senegalit pas kohës shtesë me një përmbysje të jashtëzakonshme. Skuadra afrikane dominoi ndeshjen dhe shënoi dy herë me Diarra në minutën e 25’ dhe Sarr në të 52’. Kur dukej se kualifikimi ishte i sigurt, Belgjika barazoi në fund të kohës së rregullt. Lukaku shkurtoi diferencën në të 86’, ndërsa Tielemans barazoi gjithçka tre minuta më pas. Golat motivuan më shumë lojtarët belgë dhe në shtesën e dytë erdhi momenti që vendosi sfidën. Tielemans fitoi dhe shndërroi në gol një penallti, duke i dhënë Belgjikës fitoren 3–2 dhe kualifikimin në fazën e 1/8, ku do të përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Trajneri Rudi Garcia tha pas takimit se nuk është e lehtë të kthesh një rezultat të tillë, por ia dolën.
“Futbolli është i mbushur me emocione. Ne i përjetuam ato sonte. Kur je në disavantazh 2–0 që në minutën e 23-të, nuk është kurrë e lehtë të rikthehesh dhe ta fitosh ndeshjen. Megjithatë, pikërisht këtë u thashë lojtarëve: duhej të shënonim golin e tretë të ndeshjes, pra ta çonim rezultatin në 2–1 dhe më pas gjithçka do të ishte e mundur”.
SHBA siguroi kalimin e turit me fitoren 2–0 ndaj Bosnje-Hercegovinës. Golat u shënuan nga Folarin Balogun në fund të pjesës së parë dhe Malik Tillman në minutën e 82’. Amerikanët luajtën shumë minuta me 10 lojtarë, pasi Balogun u përjashtua me karton të kuq në të 64’.
Gara për titullin vijon edhe për Anglinë, që mundi 2–1 me përmbysje Republikën Demokratike të Kongos, falë një paraqitjeje bindëse të kapitenit Harry Kane. Kongo kaloi në avantazh që në minutën e shtatë me golin e Cipenga dhe ishte pranë golit të dytë, por Wissa goditi shtyllën. Revanshi erdhi gjatë pjesës së dytë. Kane realizoi dy herë në të 75’ dhe të 86’, duke treguar se është aty për ekipin në momente të vështira. Anglia do të luajë në fazën e 1/8 me Meksikën.
Ndeshjet e Botërorit 2026 transmetohen në Tv Klan.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 