Për afro 40 minuta, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku qëndroi në ambientet e SPAK këtë të premte. Ajo u paraqit pak pas orës 15, në prani të këshilltarit për mediat dhe avokates, e njëkohësisht motrës së saj, Pamela Qirko.

Balluku iu përgjigj një fletëthirrjeje të hetuesve të posaçëm për një çështje në hetim, teksa për mediat, në dalje, tha se e shikonte si proces të cilit kishte besim që do të bazohej te parimet e drejtësisë.

“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Shqipërisë dhe zyrtare publike e shikoj si një proces, një proces për të cilin jam shpresëplotë që do të jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet e drejtësisë, tek të cilat besoj,” tha Balluku.

Pak minuta pasi zëvendëskryeministrja la ambientet e Prokurorisë së Posaçme, përmes një njoftimi, SPAK bëri me dije se i kishte komunikuar asaj marrjen në cilësinë e të pandehurit për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”.

SPAK sqaroi se kjo akuzë lidhej me hetimet që po kryente mbi tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum–Himarë, me vlerë mbi 18 miliardë lekë.

Tv Klan

/tvklan.al