Mbi 4 mijë turistë e vizitojnë çdo fundjavë

Belshi është kthyer befas në destinacionin turistik që as vetë nuk e kishte menduar. Madje duket i kapur në befasi nga fluksi i vizitorëve.  Baret dhe restorantet janë plot, veçanërisht në fundjavë ku numri arrin deri në 4000 vizitorë.

Merita për këtë i takon bujarisë së natyrës që i fali kësaj zone 85 liqene apo historisë së antikitetit, por që tashmë krah i janë bërë edhe investimet.

Por turizmi është kryesisht 1-ditor, pasi ka mungesa në hoteleri. Sfidë për pushtetin vendor mbetet krijimi i infrastrukturës së nevojshme për argëtimin dhe akomodimin e këtyre turistëve që përkthehet në rritjen e të ardhurave për banorët.

Sipas Kryetarit të Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, po punohet edhe në këtë drejtim, për të ngritur bujtina dhe hotele.

“Kryesisht kemi turizëm fundjave, një ditor nga Tirana dhe qytetet përreth Belshit. Po punojmë për stimulimin e sipërmarrjes vendase në fushën e agroturizmit dhe të turizmit liqenor. Jemi në fazën përmbyllëse të projektit të madh agroturistik të Belshit ku do të ndërtohen 45 shtretër, restorant, shtigje turistike etj.”

Ndërkohë bashkia Belsh ka kthyer në traditë festa të tilla si Nimfat e Liqeneve, ditën e balonave, garat me kajak apo festivalin mbarëkombëtar të këngës popullore qytetare.

Tv Klan