Ben Affleck kishte një zgjedhje të veçantë në mendje për filmin e tij të ri “Animals”, ish-bashkëshorten e tij Jennifer Garner. Aktori dhe regjisori zbuloi pse ajo vendosi të mos bëhej pjesë e projektit.

Affleck kishte menduar që Garner të luante bashkëshorten e personazhit kryesor, në një martesë që vihet në krizë pas rrëmbimit të djalit të tyre. Për aktorin, kjo do të kishte edhe një avantazh personal, atë të mundësisë që të dy të koordinonin oraret dhe të kalonin më shumë kohë me tre fëmijët e tyre.

Planet ndryshuan kur xhirimet u shtynë dhe Matt Damon, i parashikuar fillimisht për rolin kryesor, u tërhoq për shkak të angazhimit në “The Odyssey”.

Affleck vendosi ta luante vetë rolin dhe, sipas tij, atëherë Garner i tha se nuk donte të merrte pjesë në film, pasi Affleck po përballej tashmë me shumë presion dhe përgjegjësi.

Roli përfundimisht iu besua Kerry Washington.

Affleck dhe Garner, të cilët u martuan në vitin 2005 dhe u divorcuan një dekadë më vonë, kanë ruajtur një marrëdhënie shumë të mirë siç pohon edhe vetë aktori. Ai është shprehur se do të dëshironte të punonte sërish me të.

“Ajo është e mrekullueshme, jemi miq shumë të mirë dhe kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Do të doja të punoja sërish me të në të ardhmen”, u shpreh Affleck.

/tvklan.al