Ndryshe nga Kryeministri Rama, bilanci i Sali Berishës për punët e qeverisë ishte më i zymti që shqiptarët kanë parë në tre dekada pluralizëm.
“Viti 2025 ishte një vit, në të cilin qytetarët shqiptarë u vodhën më shumë se kurrë në 35 vite, më shumë se kurrë në ekzistencën e tyre. Këtë vit shpërthyen në të katër anët ujërat e zeza të regjimit mafioz të Edi Ramës. Transformoi në një strofull të krimit parlamentin e vendit.”
Në morinë e shkeljeve, si aferën më të zezë të ekzekutivit renditi atë të AKSHI-t, duke paralajmëruar gjymtim të hetimit.
“Edi Rama me linden e AKSHI-t dhe Surrelit kanë përfituar 100 milionë euro përmes prestonomëve dhe banditëve si Agasi e Beqiri, etj. Zyra e Agasit ishte zyra e kryeministrit në hije të Shqipërisë, protektorat krimi. AKSHI rrezikon shumë të mos ketë hetim të plotë, pasi Altin Dumani ka bërë ndërhyrje brutale për të gjymtuar hetimin e AKSHI-t.”
Kryedemokrati shtoi se kthetrat e zeza të Edi Ramës përmes AKSHI-t janë shtrirë si tentakula deri në kadastrat e vendit.
“Rama prej një viti ka bllokuar kadastrën nga çdo lloj kontrolli. Rumi i vërtetë i kadastrës është Rama me Agasin dhe bandën e tij. Rumi është lule me ato që ka kryer Rama me Agasin dhe bandën e tij në pronat e shqiptarëve, shtetit dhe në brigjet e Jonit.”
Deklaratën e Edi Ramës se Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie për kërkesat e SPAK, kur iu referua imunitetit të Ballukut, Berisha e cilësoi provokim.
“Rama, në një vendim antikushtetues, në një provokacion të padëgjuar, bllokoi kërkesat e prokurorisë me gjykatës të padenjë, që shkelmojnë Kushtetutën sikur të ishin anëtarë të një organizate krimi. Nga zyra e tij, në mënyrë identike me një hajdut të papenduar, deklaron se 16 mijë faqet e sjella nga prokuroria nuk kanë asgjë për Lubi Ballukun, ndaj kthejini pas se nuk hiqet imuniteti i saj.”
Kryeministrit, i cili prerazi refuzoi kushtin e opozitës për t’u dorëhequr, Sali Berisha i tregoi revoltën që tha se e pret me nisjen e vitit të ri.
“S’do pranojnë më një hajdut si ai kryeministër. Ndaj i them: prite zemërimin e popullit shqiptar. Shqiptarët s’do mund t’i vjedhë më si sot.”
Sa për kartolinën e Vitit të Ri, Berisha tha se e ka një për shqiptarët: “Rrëzimin e këtij regjimi, qeverinë teknike, zgjedhje të reja.”
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 