Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama për marrjen e 24 hektarëve tokë në jug të vendit. Sali Berisha thotë se këto prona janë grabitur duke falsifikuar dokumente të pronësisë dhe vendimeve të gjykatave.
“Ky është vërsulur si një hajn i papërmbajtur pronave të kishës. Në dosjen e tij ka falsifikime të paimagjinueshme. Ka ndryshime datash që vetëm falsifikatorët që i kanë bërë e dinë. Vendime gjykatash që janë të vitit 2003 dhe paraqiten si të vitit 2013. Nuk mund ta marrë kush vesh çfarë qëndron aty se dosja është e kyçur në sirtarin personal të Sokol Sadushit dhe nuk del”, tha Sali Berisha.
Berisha thotë se këtë rast nuk do e denoncojë në SPAK pasi nuk beson në hetimet e drejtësisë.
“Ta dërgojmë në SKAP këtë është njësoj si ta hedhim në një kosh të plehrave”, tha kryedemokrati.
Dokumentet që disponon për pretendimet se Kryeministri Rama ka marrë prona në jug të vendit pa të drejtë do ua dërgojë institucioneve ndërkombëtare.
“Ne këtë do e dërgojmë në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Në të gjithë botën, të gjitha mediave, kudo”, shprehet kreu i Partisë Demokratike.
Pavarësisht rikthimit të ekspertëve amerikanë në SPAK, Berisha shprehet i bindur se Presidenti i SHBA, Donald Trump nuk mbështet një drejtësi politike.
“Shndërrimin e drejtësisë në armë politike, kurrë, ai nuk e mbështet. E mbështetën përpara, po e provoi dhe vetë se çfarë janë prokurorët politikë”, tha Berisha.
Berisha iu rikthyer gjithashtu akuzave për mbylljen e Tiktok.
“Kjo do të hyjë në histori si një ditë e zezë e censurës”, përmbylli Sali Berisha.
Berisha thotë se Kryeministri Edi Rama do të mbajë përgjegjës për çdo akt anti-ligjor dhe se do të ndëshkohet me votën e qytetarëve në zgjedhjet e 11 Majit.
Klan News