Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u takua me këshilltarin për politikën e jashtme dhe të sigurisë pranë grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Kristian Fornek. Pas takimit, Berisha u shpreh se integrimi i Shqipërisë në BE duhet të jetë i bazuar në meritë. Qëndrimin e tij se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të bazohet në meritë, Sali Berisha e ndau edhe me Kristian Fornek, këshilltarin për politikën e jashtme dhe të sigurisë pranë grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, me të cilin u takua për afro 45 minuta në selinë blu.

“Duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, sepse vetëm një proces i bazuar në meritë është interesi absolut i qytetarëve shqiptarë. Është interesi absolut më i mirë i qytetarëve të BE”.

Teksa akuzoi Edi Ramën se përmes lobimeve korruptive mashtron shqiptarët lidhur me rrugëtimin e vendit në union, Berisha shtoi se Partia Demokratike nuk do të reshtë së denoncuari në institucionet ndërkombëtare aferat korruptive të qeverisë.

“Pavarësisht nga mashtrimet që bëjnë lobistët korruptivë të Edi Ramës, apo vetë Edi Rama me ministrat e tij, ata përpiqen ta paraqesin sikur kjo parti nuk ka ndërmend integrimin, por ka projekte të veta, në mënyrë të turpshme. Por fatmirësisht, këto mashtrime kanë marrë fund dhe janë kuptuar se ishin mashtrime të lobuara, të paguara nga Edi Rama”.

Kryeministrin e akuzoi jo vetëm për vjedhje të taksapaguesve shqiptarë, por edhe për lidhje me grupet kriminale.

“Edi Rama është udhëheqës kryesor i klaneve të drogës në Shqipëri. A ka gjë më të turpshme sesa çdo javë një vend europian vjen për të arrestuar kriminelë në call-centra? Asnjë! Pse ndodh kjo? Sepse të gjitha call-centra janë në patronazhin e shtetit. Me në krye Olsi Ramën, Amant Josifin që i drejton nga Dubai e të tjerë. Dhe ndaj këtu nuk kapen, dhe çdo javë ka aksion, këtë javë ishin francezët, para tyre ishin austriakët, ishin gjermanët, me radhë”.

Në takimin e zhvilluar me Kristian Fornek, Berisha tha se e kishte njohur zyrtarin e CDU/CSU edhe me farsën elektorale dhe përqendrimin, sipas tij, të të gjitha pushteteve në duart e kryeministrit Rama.

Tv Klan

/tvklan.al