Ashtu si katër vite më parë, Sali Berisha nuk ka asnjë dyshim se Bordi i Transparencës për çmimin e karburanteve nuk është i nevojshëm, pasi sipas tij rritja e tarifës së naftës në Shqipëri është abuzim i qeverisë. Në vend të kësaj strukture, kryedemokrati propozoi përgjysmim të taksave.

“Bordi në shkelmim flagrant të interesave të qytetarëve në mbrojtje të oligopoleve të qeverisë, s’ka nevojë për bord, të rregullohen taksat dhe të guxojë kush ta shesë më shtrenjtë, nëse ke vendosur ngarkesë fiskale 33% më të lartë se vendet e OECD-së, atëherë je kundër qytetarëve”, tha Berisha.

Edhe në këtë dalje, kryeministrin e bëri përgjegjës për mbylljen e dyerve të integrimit europian të shqiptarëve, pas rrëzimit që tha se maxhoranca i bëri në Kuvend të kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

“I mbylli dyert e integrimit europian të Shqipërisë e shqiptarëve”.

Akuzat nuk i kurseu as ndaj SPAK-ut, për të cilin tha se është nën kontrollin e kryeministrit Rama.

“SPAK-u në kontroll të plotë të di Ramës. Ka prokurore që bëjnë ligjin, por ka edhe prokurore kriminale, që komunikojnë me Ramën e kriminale e dekonspirojnë. Por përpjekja e fundit e SPAK-ut për Lubi Ballukun dëshmoi se Rama është i aftë të marrë çdo vendim për veten dhe bashkëpunëtorët e tij”, shton ai.

“De facto SPAK-u nuk ekziston më; tani hyn në fuqi vendimi i famëziut Sadushi që nuk lejon më arrestimin pa vendim përfundimtar të bosëve të drogës të kryesuar nga Rama dhe qeveria shqiptare.”

Edi Ramën e shënjestroi se nën kontroll ka vënë edhe mediat lidhur me çështjen “Balluku”.

“Dënoj me forcën më të madhe këtë censurë e presion të vendosur me para nga Rama e Balluku”.

Ende nuk ka një datë për protestën e rradhës, por revoltën e qytetarëve e sheh si të vetmin opsion për të larguar nga pushteti kundërshtarin e tij politik.

“Do të jetë shumë më e fuqishme… protestat janë zgjidhja e vetme”.

Një koment dha edhe për qëndrimin e deputetes Jorida Tabaku, e cila është shprehur se Ervin Salianji duhet të jetë pjesë e debatit të brendshëm në Partinë Demokratike.

“Ajo ka shprehur vendimin e vet dhe është krejt normale, ai është vetpërjashtim, kur ti shkel ato çka thotë statuti i PD-së. Ka bashkëpunuar me krimin”.

Deklarata e kryedemokratit vjen në një kohë kur ish-deputeti Salianji ka shprehur haptazi kandidaturën e tij në garën për kreun e ri të partisë, që do të mbahet më 23 maj.

Tv Klan

/tvklan.al