Me zgjedhjen e ekipit të ri drejtues përmes të cilit Sali Berisha synon të rikthejë në pushtet demokratët, lideri i opozitës e cilëson të kompletuar procesin elektoral në selinë blu, që thotë se i shërbeu objektivit të ripërtëritjes.

Ndaj dhe pas shpalljes së rezultatit, mesazhin e kishte për bashkëpunëtorët e tij të larguar dhe rishtarët që morën votbesimin e Këshillit Kombëtar.

“Ka një ripërtëritje të madhe me personalitete ndër më të shquarat të fushave të tyre në drejtimin e PD. Kjo dëshmon vendosmërinë e kësaj partie për ripërtëritjen. Kjo dëshmon gjithashtu potencialet e saj shumë të mëdha. Kjo dëshmon gjithashtu votën e lirë si mekanizëm themelor të funksionimit të kësaj partie”, tha Berisha.

Maxhorancën e akuzoi se po ecën në mënyrë të njëanshme me reformën territoriale, që thotë se po tenton ta miratojë pa konsensus në kuvend.

“Edi Rama, Partia Socialiste, do të shkojë veçmas. Ne qëndrojmë kundër variantit të paraqitur nga ata, kundër formës ekzistuese dhe do bëjmë gjithë përpjekjet tona për të kundërshtuar këtë reformë”, tha Berisha.

Pavarësisht shtyrjes së afatit të punës së Komisionit të Reformës Elektorale deri në muajin nëntor, Berisha thotë se ndryshe nga shumica qeverisëse, Partia Demokratike është e gatshme të votojë në parlament edhe një propozim të protestuesve, për të shkuar drejt një sistemi të ri zgjedhor, proporcional-kombëtar me lista të hapura.

“Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës, ky është dallimi i madh mes nesh dhe atyre”, tha Berisha.

Qeverinë dhe kryeministrin Rama i vuri në shënjestër të akuzave edhe për mosreagimin sipas tij të deklaratës së bërë nga Ministria serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik në Kosovë.

“Në aktin më të turpshëm, më vetposhtërues nuk guxon të shpallë non grata. Ky qëndrim dëshmon fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës, regjim vasal ndaj Beogradit”, tha Berisha.

Lideri i demokratëve thotë se Rama nuk dënon deklaratën e ministres serbe, por shpall non grata shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë së Veriut që mbështesin protestat qytetare në Tiranë.

/tvklan.al