Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, kryeministri Berisha ka ripërsëritur ftesën drejtuar kreut të socialistëve, Edi Rama, që t’i bashkohet votimit të 6 Gushtit për projektin e përbashkët integrues të vendit, kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

Në kundërpërgjigje të qëndrimit opozitar lidhur me ngutshmërinë në kohë nga ana e qeverisë për të votuar këtë nismë ligjore në Kuvend, kryeministri sqaroi se 6 gushti nuk është një datë arbitrare, por e përcaktuar qartazi në rregulloren e Kuvendit.

Sali Berisha: “Me një ftesë të re për zotin Rama, për të votuar me datën 6 Gusht, projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit. Duhet të informoj shqiptarët se data 6 Gusht nuk është një datë arbitrare, por është një datë e cila është miratuar në Kuvend pa asnjë kundërshtim nga asnjë forcë politike dhe është një datë e cila detyrohet nga rregullorja e parlamentit, nga një nen i saj i vendosur në vitin 2008, në rregullore pikërisht nga Partia Socialiste e Shqipërisë, nga deputetët e saj. Pasi pati kritika se u veprua me shpejtësi në ndryshimet e kushtetutës në 2008, deputetë socialistë, si një reflektim i këtyre kritikave, sollën këtë nen, i cili përcakton të gjithë kohën e procesit kushtetues dhe ndryshimi është i përcaktuar në rregullore”.

Duke e cilësuar të pakuptim tërheqjen e socialistëve nga votimi i kufizimit të imunitetit, zoti Berisha i bëri thirrje lidershipit të selisë rozë të çlirohet nga klubi i miliarderëve. Për shefin e qeverisë, drafti final i miratuar në parim dhe nen për nen me konsensusin e palëve adreson të gjitha propozimet e bëra nga socialistët.

Sali Berisha: “Për të faktuar në mënyrë absolute se këtu janë 3-4 vetë që e marrin peng këtë vend, imunitetin në këtë vend, njerëzit që i autorizojnë pasi votuan në parim, pasi votuan nen për nen, u dërgoi me SMS ultimatumin: “Që nuk jeni më”. I çova një mesazhier zotit Xhafa. Kot e ke, se nuk do të lejojnë të votosh. E mori mesazhin apo s’e mori, nuk e di, po e vërteta është që nuk e lejojnë, nuk ishin sepse s’ishte Sadriu, nuk ishte Toma, nuk ishte Fideli. Në një situatë jashtëzakonisht e pa kuptim dhe keni pa ju çfarë argumentesh përdor? Njëherë kërkon kushtetutën e pakicës për të dëshmuar se ruan konceptin e sundimit të pakicës. Nuk ka koncept më fatal në demokraci dhe pastaj, kur nuk e mbron dot këtë, thotë korrupsioni nuk luftohet me heqje imuniteti. Po si luftohet korrupsioni? Me mur, duke mbajtur murin e imunitetit? Unë e ftoj, përndryshe do hyjë në Guinnes si i vetmi kryetar opozite në botë që e do kryeministrin e tij me imunitet. Të gjithë e dinë që nuk i ka hallet te Sali Berisha. Që të gjithë e dinë që nuk e ka hallin tek ministrat. E ka tek klubi i miliarderëve në krye të Partisë Socialiste. Harron se me kushtetutën e pakicës, e çon vendin në greminë, ndaj dhe i bëj thirrje edhe një herë të mendojë interesat e socialistëve, të mendojë interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe të vendit që të heqim apo të kufizojmë, të votojmë së bashku atë draft, i cili ka përfillur, ka marrë parasysh çdo sugjerim të Partisë Socialiste.”

Kjo deklaratë e shefit të qeverisë vjen një ditë pasi lideri i opozitës, Edi Rama, ripërsëriti qëndrimin e tij të palëkundur se opozita nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për të ndërmarrë një paketë ndryshimesh kushtetuese dhe jo arnime në Gusht e në Shtator./tvklan.al

/tvklan.al