Pas fushatës së Kryeministrit, Sali Berisha nuk sheh vetëm gjuhën e një bullizuesi, por shkoi edhe më tej kur e krahasoi me atë të një krimineli.
“Flet me gjuhë të fortish, si Nuredin Dumani në sallë të gjyqit. Pastaj kujtohet se shkel çdo normë dhe standard, tërhiqet për të vazhduar të nesërmen me të njëjtat terma. Ajo është një fushatë elektorale tallava, një fushatë elektorale banaliteti, bullizmi”, tha Berisha.
Përpara grave demokrate, Edi Ramën e akuzoi edhe si kopjac të programit të tij elektoral.
“Një ditë të bukur tha unë do vendos pensionin 200 euro. Po ne kishim dorëzuar ligjin një vit e gjysmë më para. Ai nuk e votoi, kur unë e ftova që hajde të mblidhemi urgjent dhe ta votojmë në parlament, ai e spostoi në vitin 2030.Tani ai kalon tek pjesa tjetër e programit, falja e gjobave”, tha Berisha.
Ripërsëriti premtimin e tij për zerim të gjobave e kamatvonesave pas ardhjes në pushtet.
“Ne kemi premtuar faljen e çdo gjobe për qytetarët shqiptarë që është vendosur para datës 11 Maj e gjer në vitin 1992”, tha Berisha.
Ndërsa në Vorë gjatë prezantimit të kandidatëve një mesazh adresoi edhe ndaj administrates, që sipas tij në këto zgjedhje është në terror për shkak të presionit të Edi Ramës.
“Do shkojnë se i pushon nga puna… I siguroj se ata që zbatojnë ligjin do jenë njerëz të nderuar nga ne dhe i ftoj të votojnë së bashku me ju, ndryshimin, rotacionin, për shpëtimin e Shqipërisë”, tha Berisha.
Në një bashkëbisedim online me qytetarët u zotua se pjesë e reformimit nuk do jetë vetëm drejtësia.
“Ne do ndryshojmë Kodin dhe reformën territoriale. Për fat të keq kanë ndëshkuar qytetarët, ndofta pas reformës në drejtësi më shumë se çdo reformë tjetër”, tha Berisha.
Kur pyetet për kabinetin e tij qeveritar, preferon që ekipin e tij të ngushtë ta bëjë publik pas fitores së 11 Majit.
“Do të jetë një kabinet me përfaqësi mbarëkombëtare. Kabineti ynë do shpallet pas fitores së 11 Majit”, tha kryedemokrati.
Jo vetëm kreun e qeverisë, por në shënjestër të akuzave nga Fieri ku vijoi fushatën, vuri edhe Zv.kryeministren.
“Këtë lubinë që sillet këtu si bodiguardi i Ramës, qe ju mashtron për të marrë vota, ta dini ju që ajo për te larë makinen e vet harxhon me 10 mijë euro në muaj”, tha Berisha.
Zero tolerancë paralajmëroi edhe ndaj investitorëve strategjikë.
“Mos prekni asnjë centimetër katror pronë të shqiptareve se do konfiskohet e do akuzoheni për korrupsion”, tha Berisha.
Më herët në një bashkëbisedim online me qytetarët Berisha u zotua se krahas reformës në drejtësi dhe asaj territoriale, do të ndërhyhet edhe në kodin elektoral.
Tv Klan