Si pas çdo proteste, Sali Berisha del për të bërë analizën dhe bilancin, duke thënë se ishte shumë pozitive, sa kohë që protestës së 8 majit iu bë jehonë në mediat ndërkombëtare.

“Ishte protesta, kryengritja paqësore e tetë, me një jehonë të jashtëzakonshme botërore. I ndiqni lajmet se si guximi, kurajo, sakrifica juaj u shndërrua në lajm botëror. U përcoll me dashamirësi absolute”.

Por përtej vlerësimeve për ata që dolën për të kërkuar largimin e qeverisë, Berisha ngre edhe akuzat e përsëritura që adresohen pas çdo proteste ndaj drejtuesit të Policisë së Shtetit dhe kryeministrit, të cilët sipas kryedemokratit, nga frika urdhërojnë dhunë ndaj protestuesve paqësorë.

“Njeriu që bllokoi bulevardin e protestës paqësore për të treguar frikën dhe tmerrin që ka nga protestuesit. Skënder Balluku, hajduti me çizme… Sot ndihem më i motivuar se kurrë për protestë. Dhe më nderojnë me targetimin që bën Edi Rama. Ky frikacak i ulët, ky kriminel ordiner, që njëherë nxjerr një bandit për të festuar praninë e liderëve europianë në një atentat ndaj meje. Njëherë tjetër urdhëron një kriminel në timon për të drejtuar topin e ujit. Por ta dijë mirë se Edi Rama nuk ka shpëtim”.

Në bashkëbisedimin e së shtunës me ndjekësit virtualë, Sali Berisha u ndal të flasë sërish për procesin e negociatave, që e cilëson të bllokuar nga zullumet e qeverisë Rama, duke përfshirë në akuzat e tij edhe ambasadorin e delegacionit të BE-së në Tiranë, që sipas tij është zëdhënës i Ramës në Bruksel.

“Edi Rama e ka bazuar kryekëput procesin e integrimit në lobim korruptiv. Lobim të fuqishëm korruptiv. Përsa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur: ky sillet si të ishte ambasador i Edi Ramës. Mbase ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës, sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera. Por ka dështuar. Është unifikuar komplet me Edi Ramën. Dhe sa herë unë thoja ndonjë të vërtetë, bashkë me ndonjë lobist tjetër të tij në Komisionin Europian, lëshojnë deklarata. Por unë, absolutisht, shqiptarëve dhe Bashkimit Europian, partnerëve europianë, do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”.

Kryedemokrati deklaroi se do të këmbëngulin në parlament për një hartë të re territoriale, ndërsa premton shfuqizim të “Paketës së Maleve” sapo të vijnë në pushtet.

Tv Klan

/tvklan.al