“Nuk do shqyrtojë vendimet e SHBA, por pengmarrjen tënde”
I vendosur për ta larguar nga karrigia e kryetarit, Sali Berisha i është kundërvënë sërish Lulzim Bashës duke e paralajmëruar se nuk mund të pengojë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
Mbledhjen e forumit më të lartë drejtues, Berisha thotë se nuk e kërkon për të shqyrtuar vendimet e qeverisë amerikane, por për t’i dhënë fund pengmarrjes dhe pazareve të Lulzim Bashës me Edi Ramën.
“Kuvendi i Partisë Demokratike do mblidhet në përputhje me statutin e PD-së dhe askush që tmerrohet prej tij nuk mund ta pengojë. Ai nuk do të mblidhet për të shqyrtuar vendimet e asnjë qeverie por vetëm vendimet e pengut të Edi Ramës. Kuvendi do mblidhet gjithashtu për të shpëtuar PD-në nga pazaret e peng Bashës me Edi Ramën dhe për t’u rikthyer dinjitetin dhe shpresën demokratëve pas 4 humbjesh radhazi përballë rregjimit më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës”.
E në këtë betejë që thotë se e ka nisur për rikthimin e demokracisë në parti, Berisha sërish i kujtoi anëtarësisë se nuk u duhet një lider peng që e çoi nga disfata në disfatë Partinë Demokratike.
“PD nuk i duhet një lider i kapur peng që bën pazar me Ramën dhe shpall “non grata” bazën e partisë i tmerruar prej saj. Për 8 vjet Edi Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet sepse është në pazar me dikë që është shumë i kënaqur të qëndrojë edhe 80 vjet në opozitë”.
Lideri historik i demokratëve ka paralajmëruar mbledhjen e 1500 firmave që nevojiten për të thirrur Kuvendin Kombëtar lidhur me vendimin personal të Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.
Një ditë më parë nga foltorja e takimeve me demokratët e Fierit, Sali Berisha tha se Lulzim Basha duhet të shkarkohet dhe “të shkojë andej nga ka ardhur”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 