Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu përgjigj deklaratës së bërë nga kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, i cili tha se institucioni që ai drejton po kryen hetime për krimet zgjedhore, ndërsa denoncimet që janë bërë nga forcat politike nuk kanë patur prova konkrete.

Nga selia blu Berisha tha se për çdo denoncim, PD ka paraqitur prova, por SPAK nuk i ka hetuar.

“Asnjë kallëzim të vetëm penal, opozita nuk ka bërë pa provat zyrtare të pakundërshtueshme.”

Ai iu rikthue akuzave ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për çështjen e inceneratorit, ndërsa thotë se po bëhen përpjekje për të fshehur dëshmitë për vjedhjen e 130 milionë eurove.

Kreu i demokratëve pati edhe një paralajmërim: ”Unë paralajmëroj se çdo fshehje dhe injorim i dëshmive për 130 milionë euro, do të ngarkojë me përgjegjësinë më maksimale, të barabartë me vjedhësit, ata që duan t’i fshehin sot.”

Kryetari i PD thotë se tashmë Shqipëria është një narko-shtet, pasi ministrat edhe zyrtarët e lartë emërohen nga grupet kriminale.

Klan News

/tvklan.al