PD prezantoi kandidatët e saj këtë të Shtunë në Dibër. Pasi rreshtoi pikat e programit elektoral, kryedemokrati Sali Berisha i dha një përgjigje kundërshtarit të tij kryesor Edi Ramës sa i takon deklaratave të tij të fundit.
“Në Dibër, në këtë sallë ti erdhe me gjuhën e pushtuesit dhe gjuhë e kopukut. Të dyja. Në qoftë se mbrëmë në Kamzë unë të dhashë një përgjigje duke lexuar përroin tënd psiçik frojdian, sot unë kam një përgjigje tjetër. Ti erdhe si pushtues sepse i lejove vetes të ndërmarrësh një fyerje kolektive. Njëlloj si dikur paraardhësit e tu, që këta burra viganë, atdhetarë, patriotë, i shpallnin armiq se qëndronin për atdhe, qëndronin për besimin tek Zoti, për Dibrën dhe Shqipërinë. Ti erdhe, ti fole dje si kopuk, sigurisht që me ato ministreshat e tua që xhinglaminglohen në atë mënyrë. Tani të them unë dy, asnjë fjalë nuk të jap përgjigje sepse përgjigjen më të shkëlqyer ta dha dibrania në sallë, e cila u ngrit dhe të tha se burrat tanë janë të mrekullueshëm. Por do ta them këtë këtu, burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës, mjerë ai që i sulmon. Rroftë Dibra, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!”, tha kreu i Partisë Demokratike.
/tvklan.al