Sali Berisha mohon në mënyrë kategorike që ata që krijuan incidentet gjatë protestës së të shtunës me eksponentët demokratë të jenë studentë.

Thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, kryedemokrati i di me siguri se janë pjesë e propagandës së paguar, sipas tij, nga qeveria për të vendosur shenjën e barazimit, në mënyrë që të dëmtohet opozita si alternativë qeverisëse.

Berisha nuk ngurron t’u japë këshilla studentëve që propozojnë të krijojnë një formacion politik, duke i siguruar se protesta e tyre me studentët serbë nuk mund të jetë pjesë e një skenari të ngjashëm.

“Skenari serb, siç e dini zonjë, është skenar i udhëhequr i tëri nga infrastruktura shtetërore e universiteteve të Serbisë.

Lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vockla që shkonin maksimumi, mos gabohem, gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike.

Ndaj dhe ajo që u sugjeroj të gjithë atyre, ata kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale.”

Gjithsesi, si kryetar i opozitës, pranon të luajë rolin përbashkues dhe u kërkon partive të tjera, pse jo, të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale të 9 majit.

“Partia Demokratike është e sinqertë, është e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise. T’u bëj thirrje drejtuesve të këtyre partive të lënë mënjanë kundërshtitë dhe të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe që s’e ka pasur ndonjëherë. Çdo hezitim shkon në favor të Edi Ramës. Unë nuk u them atyre në qoftë se ata s’duan, hajde të qeverisim bashkë.

Unë nuk u them atyre që në qoftë se ata nuk duan, urdhëro të dalim dhe në zgjedhjet e përgjithshme bashkë. Por hajde të rrëzojmë Edi Ramën, të shkojmë drejt krijimit të një qeverie kujdestare për të bërë reformën zgjedhore dhe ju siguroj se ajo reformë do të pasqyrojë plotësisht propozimet dhe sugjerimet e tyre.”

I pyetur në bashkëbisedimin virtual të kësaj të diele nga një prej ndjekësve të tij, komenton edhe takimin që kryeministri pati me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Bruksel.

Tv Klan

/tvklan.al