Në ditën e dytë të forumit të Unionit Demokratik Ndërkombëtar, që po mban punimet në Zagreb, kryedemokrati Sali Berisha, teksa mori pjesë në sesionin kushtuar perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor, theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë është bërë i pasigurt për shkak të faktorëve të brendshëm.

“Mendoj se për momentin, pengesat kryesore të integrimit të Shqipërisë në BE janë autokracia zgjedhore. Edhe më keq se kaq: Shqipëria është i vetmi narko-shtet në Evropë. Drogat në Shqipëri kanë një fuqi të jashtëzakonshme.”

Berisha denoncoi edhe propozimin e përbashkët të Ramës dhe Vuçiç për integrimin në Bashkimin Europian të vendeve respektive, sipas tij edhe pa u plotësuar të gjitha kushtet.

“Iniciativa e fundit e çuditshme është propozimi me një letër të hapur të nënshkruar nga Rama dhe Vuçiç, drejtuar Bashkimit Evropian, për ta pranuar këtë vend me një integrim të dorës së dytë. Një procedurë e tillë nuk ekziston në Bashkimin Evropian. Prandaj, unë personalisht mendoj se procesi duhet të jetë i bazuar në meritë, por pengesat janë si të brendshme, ashtu edhe rajonale.”

Sipas Berishës, procesi më themelor për një vend demokratik janë zgjedhjet dhe krijimi i mundësisë për rotacionin e pushtetit.

“Nëse arreston dy liderë të partive kryesore të opozitës dhe vendos nën proces penal, pa asnjë arsye ligjore, edhe të tretin, në vitin e zgjedhjeve, kjo ndodhi në Shqipëri dhe në Tunizi. Të dyja i bënë këto. Nëse jep 2.1 miliardë euro, fshin gjoba dhe interesa dy ditë para zgjedhjeve për të blerë votat, atëherë nuk ka më zgjedhje.”

Ky forum ka mbledhur në kryeqytetin kroat liderë dhe figura të rëndësishme politike nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat globale dhe rolin e së djathtës në një rend ndërkombëtar në ndryshim.

Tv Klan

/tvklan.al