Kryedemokrati Sali Berisha shprehet besimplotë për mbylljen e negociatave me partitë e të gjithë spektrit opozitar, për të dalë në një front sa më të gjerë për zgjedhjet lokale të 9 majit.
“Partia Demokratike është e hapur ndaj të gjitha forcave të tjera politike që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, për kandidatë të përbashkët, për zona të veçanta, për çfarëdo propozimi të arsyeshëm që të mund të krijojmë një front të përbashkët. Disa përpjekje janë bërë dhe tani, në javën që vjen, do të bëhen përpjekje serioze.”
Aty ku Edi Rama sheh fitoren e radhës për Bashkinë e Tiranës, Sali Berisha vëren humbjen.
“As Asambleja s’e mbron dot me Ramën.”
Në betejën për të rrëzuar kundërshtarin e tij politik, ftoi këdo, përfshirë edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, dhe ish-kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropalin.
“Çfarë kanë në dorë Veliaj dhe Spiropali? Ata dinë më shumë se të tjerët për korrupsionin e Ramës e Ballukut. Ata duhet të bëjnë sa më shumë deputetë me vete. Është betejë për ekzistencën e kombit.”
“Po Erion Veliaj, nëse do të kontribuojë, le t’u thotë shqip se çfarë di për të, se krimet e Ramës janë pafund. Dhe sot nuk them që Veliaj është rrezik ekzistencial, por për të larguar dyshen me famë të zezë Rama-Balluku.”
Hetimet e nisura ndaj Spiropalit dhe familjarëve të saj, Berisha i cilëson si përdorim të SPAK-ut si armë politike nga Edi Rama.
“Akuzën për Elisa Spiropalin e kam paraqitur unë dy vite më parë në Parlament, por regjistrimi për vepra penale i problemeve të bashkëshortit të saj, në një kohë kur ajo ka marrë një rrugë kundërshtie me fjalë ndaj Ramës e Partisë së Krimit, dëshmon për përdorimin si armë politike të SPAK-ut të partisë.”
Për të ironizuar takimin e kryeministrit me një përfaqësi studentësh, Berisha u rikthye 36 vite përpara në kohë, kur në Pallatin e Brigadave, më 11 dhjetor të vitit 1990, Ramiz Alia priti të rinjtë, tri ditë pas nisjes së lëvizjes së 8 dhjetorit.
“Alia nuk priti studentë klandestinë, siç bën ky shpirt katrani. Ai e bëri me mediat dhe shqiptarët mësuan çdo fjalë që u tha në atë takim. Ky i merr fshehtas.”
Pa komentuar nuk la as tërheqjen e demokratëve nga identifikimi elektronik në zgjedhje, pesë vite pasi kërkuan futjen e teknologjisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
“Ka një qëndrim hezitues, sepse ai u keqpërdor nga Partia Socialiste në mënyra nga më të ndryshmet. Është një mjet që kontrollohet tërësisht nga qeveria.”
Edhe në këtë komunikim virtual me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, Berisha përsëriti thirrjen ndaj shqiptarëve që të bashkohen në protestën kombëtare të thirrur nga studentët më 28 nëntor.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 