Protesta e qytetarëve dominoi edhe këtë të enjte seancën plenare, ku demokratët u kujdesën që frymën e saj ta sillnin pa hyrë ende në parlament.

Ajo që ndodhi jashtë dyerve të kuvendit ishte paralajmërim i përshkallëzimit dhe tensioneve brenda në sallë mes palëve.

Shkak i përplasjeve u bë rrëzimi i kërkesës së opozitës për interpelancë me Kryeministritn Rama, ç’ka çoi më pas në bllokimin e foltores dhe tre ndërpreje njëra pas tjetrës të punimeve të kuvendit.

Opozita që në nisje të seancës kërkoi të dëgjohet zëri i protestuesve, që prej 19 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

“Zëri i qytetarëve nuk mposhtet kurrë, pastaj do ikni si mi. Më mirë tani, burrërisht, kini guxim të votojmë ligjet, të heqim me mosbesim Ramën dhe ti japim zgjidhje krizës që do jetë shumë herë me e thellë në ditët dhe javët që do vijnë”, tha Berisha.

Në kundërpërgjigje Taulant Balla e sfidoi me një propozim.

“Sali Berisha unë të sfidoj, sot pasdite shko në protestë. Shkon dot? Provoje po ta mbajti. Personalisht nga ana e protestuesve e meritoj një falenderim pasi kam kontribuar në një prej kërkesave të tyre. Ata thonë “Berisha në burg”, unë e kam bërë një kallëzim për ty”, tha Balla.

Akuzat për shantazhim të protestuesve Sali Berisha i vijoi edhe nga jashtë parlamentit, ku replikën në emër të socialistëve ia ktheu sërish Taulant Balla.

“Vlora Hyseni, agjentja e përbashkët e Ramës dhe e Vuçiç ka marrë ekspertë serbë anti demonstrata. Unë paralajmëroj urgjent hetim parlamentar. Larg duart nga protesta”, u shpreh Berisha.

“I fundit në sallë që mund të flasë në emër të protestuesve është ky pelikani këtu. Ditën e parë të protestës i quajte sikur i kishim thirrur ne, ditën e 2 dole kundër tyre, sot del zotrote si përfaqësues i protestës”, u përgjigj Balla.

Përplasjet mes palëve vijuan edhe për rezolutën e Parlamentit Europian, si dhe amendamentin 17 për të cilën palët kanë lexime të ndryshme.

“Ju për amendamentin 17 keni votuar kundër në Parlamentin Europian. kjo është e vërteta për shqiptarët”, tha Balla.

“Dokumenti kërkon që çdo projekt në këto zona duhet t’i nënshtrohet vlerësimit gjithëpërfshirës të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile”, u shpreh Berisha jashtë Kuvendit.

Pas protestës dosja “Aruba” dominoi vijimin e seancës, ku Sali Berisha si brenda ashtu edhe jashtë parlamentit foli me emra, duke shigjetuar përfaqësues të maxhorancës në takim.

/tvklan.al