14 nëntor 2026- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën gjatë një komunikimi me qytetarët.
Berisha e cilësoi Ramën si “politikisht të vdekur”, ndërsa e akuzoi për vjedhje të buxhetit të shtetit dhe pasurive publike.
“Ana tjetër e zezë e këtij narkodiktatori janë vjedhjet e pakufizuara të buxhetit të shtetit dhe pasurive publike. Asnjë hetim rreth tij nuk bëhet, por Lubi Balluku që për 25 vite është konsideruar si këmisha e tij, u gjet me 300 apartamente, me vila në Shqipëri, Itali, etj, etj, me arka plot euro dhe kushedi me sa qindra milionë në bankat offshore. Por Lubi Balluku, e cila e ka peng Palloshin e gjatë, i ka thënë atij në sy se në dosjen time 60 përqind e të gjithë dokumentacionit flet për ty, je ti.
Ndaj dhe në raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, Rama dhe Balluku qëndrojnë si dy mullarë të asaj materie që s’po ia them emrin, që kundërmojnë në Shqipëri dhe në Evropë. Sot ai u përcoll siç e meritonte nga banorët e Sukthit, Manzës dhe Lalzit. Në qoftë se e vutë re, fliste përçart. Në korridoret e spitalit tha se endej me biçikleta. Mirë që nuk tha se kishte veshgjatë.
U mburr me shkollat e Kamzës, të ndërtuara që të gjitha absolutisht para vitit 2013, dhe të ndërtuara me standardet më të mira me një çmim shtatë gjer tetë herë më lirë se sa shkollat që ndërtoi ky gjatë këtyre viteve. Nuk ia vlen të vazhdoj më gjatë të flas për Padrinon pasi ai është përfundimisht një person politikisht i vdekur i pakallur. Ndaj dhe të le të kalojmë në bashkëbisedimin tonë.”, tha Berisha.
Kreu i PD-së komentoi gjithashtu caktimin e Ervin Demos si drejtues politik të PS-së në Tiranë, duke e cilësuar këtë vendim si një sfidë që, sipas tij, do të sjellë konfliktualitet të madh dhe si një thirrje për qytetarët që të përballen me qeverinë.
“Së pari, ka vënë Ervin Demon sepse konstatoi që ky kriminel gjatë fushatës është i aftë të kryejë çdo krim. Dhe sigurisht vendosja e tij është një sfidë për konfliktualitet të madh. Është një kushtrim dhe thirrje për qytetarët e Tiranës të ngrihen përsëri në përballje me regjimin. Ndërsa, për asambleistët e tij, mund të them se në tërësi ata janë një kolektivitet shumë herë më kriminal se banorët e burgut të Peqinit apo të Fierit.
A e morët vesh ju pse u thirr princesha e burgut, Sara Mile në SPAK? Sepse drejtoresha e ndihmave sociale në Peqin, me urdhër të saj, sipas regjistrimeve, ka përdorur ndihmat sociale qartësisht për vota. Për të blerë vota! A e dini ju që gjatë fushatës elektorale në qarkun e Elbasanit janë rrahur nga banda të gjithë kryetarët e bashkive socialistë, përveç atij të Gramshit, i cili e kishte vëllanë prokuror dhe kishin frikë se do t’i arrestonte.
Pra, a është Sara mëkatarja më e madhe? Jo, ju them unë, nuk është. Aty ka bosë të krimit, përveç Padrinos, kreu i grupit parlamentar, njeri që sipas dokumenteve shtetërore zyrtare, ka porositur vrasje. Dhe një gjykatëse, një prokuror, kanë vendosur të djegin regjistrimin, i cili i përkiste numrit telefonik të Taulant Ballës. Dhe i përkiste emrit Taulant. Dhe ky është vetëm një nga krimet e Taulant Ballës, i cili në mënyrën më të pafytyrë, si një gangster u tregonte bërrylin në stadium dhjetëra mijëra qytetarëve dhe tifozëve që në unison brohorisnin ‘Rama ik’.“, tha ai.
/tvklan.al












Botërori 2026 