Sali Berisha mohon që Partia Demokratike po përpiqet të përçajë protestën e qytetarëve, të cilët prej 38 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e liderit të opozitës.

“Protesta nuk është e jona. Nuk bëjmë asnjë përpjekje në mënyrë absolute për ta akaparuar atë, as për ta përçarë. Marrim pjesë në protestë me të gjitha mundësitë tona, me anëtarë dhe mbështetës, pa asnjë simbol partiak. Thjesht si qytetarë.”

Teksa thotë kushtin që ka për rikthimin e opozitës në seancë plenare, poshtë hedh zërat për një bojkot të mundshëm të Parlamentit nga demokratët.

“Nuk kemi bojkotuar Parlamentin. Kemi shpallur mospjesëmarrjen në seancat parlamentare dhe jo në komisione, gjersa Edi Rama të mos bllokojë paraqitjen në Parlament të amendamenteve që kanë dorëzuar deputetët tanë për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë përfaqësuesit e protestës.”

Pas protestuesve, edhe Partia Demokratike po përgatit një padi për ta depozituar në SPAK lidhur me librin “Dosja Shqiptare”, që për opozitën është akuza më e rëndë e grabitjes së tokave në bregdet nga grupet kriminale.

“Trafikantët e të gjitha krahinave për të shqyer bregun e detit dhe libri i kuq është dëshmia më autentike e dorëzimit të Shqipërisë panoramike në duart e trafikantëve dhe mafies shqiptare. I garantoj se PD po e studion dhe do të paraqesë aktpadinë tjetër po për këtë libër në SPAK.”

Më tej shkon kur thotë se një ndër 523 projektet e librit “Dosja Shqiptare” i përket familjes Rama.

“Në Librin e Kuq, Kanioni i Gjipesë, me mbrojtje të shkallës më të lartë, njëri nga 20 kanionet më të çmuara në planet, i kanë vënë samarin sipër, hotelin e Edi Ramës, që kalon nga njëri breg në bregun tjetër.”

Në mungesë të një drejtësie brenda vendit, transparencën për këtë dosje e pret nga institucionet ligjzbatuese ndërkombëtare.

“I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust për të kuptuar shtrirjen e tmerrshme të tentakulave të narkoshtetit shqiptar. Për 523 projekte janë paguar minimumi nga 1.5 në 2 miliardë euro.”

Akuzat në adresë të kryeministrit i vijoi edhe për shpenzimet marramendëse që tha se Rama po bën për restaurimin e disa prej ambienteve të brendshme të selisë së qeverisë.

“Qindra mijëra euro po shpenzohen nëpër korridoret. Sulltani i kuq po vendos ngjyra haremi në Kryeministri. Dënoj me forcën më të madhe vendosjen e këtyre ngjyrave në hollet e Kryeministrisë. Këto ngjyra janë ose të haremeve, ose të kinemave të seksit në Pigal. Atje i kam parë unë këto.”

Pas punëve të ekzekutivit, Berisha u ndal edhe te katot e partisë së tij, duke paralajmëruar javën e ardhshme thirrjen e Këshillit Kombëtar, që do të zgjedhë edhe kupolën e re drejtuese të kësaj force politike.

Tv Klan

/tvklan.al