Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i kërkoi NATO-s që të garantojë hapësirën ajrore të Shqipërisë. Ai theksoi se vendi ynë është në armiqësi me Teheranin, ndërsa i kërkoi gjithashtu forcave të policisë të garantojnë rendin dhe qetësinë.

“A është Shqipëria në një armiqësi me Iranin? Kjo nuk diskutohet, nuk fshihet. Unë i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, ashtu siç po mbron Turqinë, të na garantojë mbrojtjen kundërajrore nga aktet e tyre. Kurse për aktet e brendshme, duhet që forcat e rendit të garantojnë rendin dhe qetësinë. Nuk lëshohet një paralajmërim pa një bazë. Kjo është e sigurt. A ka Shqipëria mbrojtje nga NATO? Po, çdo vend i NATO-s, hapësira ajrore e Shqipërisë është hapësirë e NATO-s dhe të sigurt jemi se NATO do të na mbrojë”.

Lideri demokrat akuzoi presidentin Begaj, teksa u pyet nga gazetarët nëse duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë.

“Po ku është ai? Po pse haram të mblidhet? Haram Begaj. Ç’ka të bëjë me sigurinë ai? Po le mos bëj shaka”.

Këto qëndrime kryetari demokrat Sali Berisha i mbajti gjatë aktivitetit në Shkodër, ku u kujtuan 4 dëshmorët e 2 prillit të vitit 1991. Ai e cilësoi kryeministrin pasardhës të bllokmenëve hoxhist, ndërsa e akuzoi se zotëron të gjitha pushtetet. Berisha theksoi se qëllimi kryesor i opozitës është rikthimi i votës së lirë.

“Edi Rama, i cili në shembullin më të zi të baballarëve të vet, ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij. Përdor pushtetin për t’u pasuruar, për të legjitimuar vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve dhe shndërruar votën në një farsë të shëmtuar. PD është e betuar se misioni i saj kryesor është rikthimi i votës së lirë të shqiptarëve. Kam besim të madh se Shkodra do të përmbushë këtë mision si çdo qytet tjetër”.

Nga Shkodra, Berisha ftoi të gjithë shqiptarët që të bashkohen në protestën e 17 prillit në Tiranë.

“Ftoj qytetarët e Shkodrës, ftoj qytetarët e mbarë Shqipërisë të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në rrëzimin e tyre përfundimtar”.

Klan News

/tvklan.al