Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar këtë të shtunë, më 7 shkurt, një bashkëbisedim me qytetarët dhe simpatizantët e tij, në Kamëz. Ai e nisi fjalimin duke thënë se 12 vitet e fundit, kanë qenë vite diskriminimi për qytetarët.
Sipas kryedemokratit, familjet e Kamzës si në të gjithë Shqipërinë, janë detyruar të përcillnin fëmijët e tyre “në rrugët e botës” gjatë viteve të fundit.
“Vij këtu me ndjenjën e mirënjohjes së thellë, sepse ju në zgjedhjet e fundit përmbysët rezultatet e mëparshme dhe shkojmë të sigurt drejt garave të reja me besim të madh për fitore. Por, vij gjithashtu të përulem para jush edhe për faktin se 12 vite kanë qenë vitet e padrejtësive më të mëdha që kanë rënë mbi ju. Ka qenë vitet e diskriminimit më të pamerituar tuaj. Kanë qenë vitet në të cilat shumica e familjeve tuaja janë detyruar të përcjellin fëmijët në rrugët e botës, sepse nuk ka patur për ta asnjë mundësi që të qëndrojnë në vatrat e tyre familjare dhe të ndërtojnë ëndrrën e tyre. Kanë qenë vite në të cilin koha pothuajse ka ndaluar në Kamëz me këtë kryetarin, pseudo-kryetarin që keni.”, tha Berisha.







“Hapësirat e gjelbra të Kamzës po zëvendësohen nga betoni”
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së u shpreh se hapësirat e gjelbra të Kamzës po zëvendësohen nga betoni. Ai foli gjithashtu për rrogat e ulëta dhe çmimet e larta.
“Kamza ka mbetur me një infrastrukturë në rrënim e sipër. Ato terrene, ato mjedise të cilat ishin të domosdoshme për një qytet që është i gjashti në Shqipëri për kap banorët, një nga një i hëngri dhe po i han betoni i Edi Ramës dhe kryetarit. Por këto kanë qenë vite dëshpërimi. Kanë qenë vite në të cilat pensionet jo që nuk u rritën, por krahasuar me çmimet u bënë gjithnjë më të vogla. Po kështu dhe rrogat e ulëta dhe rrogat e mesme.
Pra, vite të një regjimi që në Kamëz dhe në mbarë Shqipëri është sjellë si një pushtues i vërtetë. Është sjellë si një pushtues i vërtetë sepse, së pari, duke dhunuar votën tuaj, vullnetin tuaj të lirë, një lloj si në raste pushtimesh dhe diktaturash, të gjithë pushteti u përqëndrua në duart e një njeriu.
Kanë qenë vite në të cilët ju keni derdhur lumenj djerse në fushata elektorale. I keni fituar zgjedhjet, por armiku më i egër i votës së lirë të shqiptarëve pas Enver Hoxhës, Edi Rama, ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë zgjedhore, në farsë elektorale. Ka krijuar në fushatë elektorale tregun më të zi të të gjitha tregjeve, që është tregu i votës, tregu i vullnetit, tregu i idealeve të njerëzve. Ka përdorur të gjitha metodat antidemokratike, antikushtetuese për të plaçkitur votën e qytetarëve.”, tha Berisha.
Berisha: Rama armik i votës së lirë
Kryedemokrati vijoi të fliste për atë që e quan farsë elektorale, duke ripërsëritur akuzat e tij ndaj kryeministrit Edi Rama se ka arrestuar liderët e partive opozitare, dhe ka vënë nën hetim një të tretë pikërisht për të mbajtur pushtetin.
“Miq, po marrim vetëm zgjedhjet e fundit. Në Shqipëri, një lloj si në Tunizi, Edi Rama arrestoi në vitin elektoral liderët e dy partive kryesore opozitare dhe vuri në proces penal atë të tretën. Në vitin elektoral shkelmoi çdo nen të kodit zgjedhor, por dhe çdo parim ndërkombëtar të zgjedhjeve të drejta. Në vitin elektoral shndërroi shërbëtorët e qytetarëve që duhet të jenë punonjës të administratës, në armiq të egër të votës së tyre, në polici politike sekrete. Cili do nga ju ju kujtohen, grupet e patronazhistëve?
Për hir të së vërtetës, duhet ta pranojmë, ato kishin një bashkëpunëtor sigurimi, kishin disa veteranë, pensionistë nga fronti demokratik dhe si hije të zeza kalonin apartament pas apartament dhe gjenin të dyshuarin dhe dilnin, i bënin gjyq në oborr të pallatit se ky nuk do na votojë.
Ky votën e ka për armikun. Por sot, sot një armatë e tërë e drejtorëve, e punonjësve të administratës, ndërmarrjeve publike, u shndërruan në patronazhistë dhe në polici sekrete për të shkelmuar vullnetin tuaj. Në kundërshtim me çdo parim, u dhanë 100 euro për pensionistët në kulmin e fushatës elektorale.
Në kundërshtim me çdo parim, me paratë tuaja u organizuan 4530 aktivitete në fushatë elektorale para saj. Vetëm, vetëm për të ndikuar votën e qytetarëve. Në kundërshtim me çdo parim, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, u falën 2 miliardë euro gjoba dhe kamata. Në kundërshtim me çdo parim, dy javë para zgjedhjeve u dekretuan 28,000, 29,000 hektarë kanabis nga 200 që parashikonte ligji. Pse u ndala në këtë? U ndala në këtë se jeni njerëz politikë. Vetëm për të vërtetuar faktin se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Me Edi Ramën ka farsë.”, tha ai, duke shtuar se të gjitha zgjedhjet, nga 2017, 2019, 2021, 2023 dhe 2025 kanë qenë vetëm një farsë.
Ai vijoi të fliste për një qeveri të lidhur me klanet e drogës: “Sot ne kemi përballë një regjim qeverisës me klanet më të fuqishme të drogës në Europë dhe ndër më të fuqishmet e botës. Klane që lëvizin miliarda, miliarda. Franc Çopja, 6 miliardë. A mund t’i imagjinoni ju?”
“Na bënë presione që të mos përdorim termin narkoshtet”
Berisha mes të tjerash foli për presione dhe kërcënime ndaj vëzhguesve gjatë zgjedhjeve të vitit 2023.
“Falë punës që u bë në zgjedhjet e 2023-shit, Libri i Zi, edhe ajo vepër e juaja, Edi Rama u fut në rreth të kuq. Edi Rama e kuptoi me datën 12 maj e kuptoi që e kanë kapur me presh duke vjedhur. Me presh në dorë. U tërbua. Humbi. I thirri dhe i kërcënoi në zyrë të tij kryevëzhguesin, kërcënoi vëzhgues të tjerë të ndryshojnë raportin.
Ata, jo që s’e ndryshuan raportin, por raportin e ridimensionuan shumë më tepër, siç ishte e vërteta. Arritëm një gjë? Arritëm një gjë shumë të madhe. Arritëm t’u faktojmë shqiptarëve, t’u faktojmë komunitetit ndërkombëtar se ky, ato mandate i ka krimi. Se ky nuk ka legjitimitet. Dhe një qeveri jo legjitime luftohet çdo orë, çdo ditë, çdo javë, gjersa të rrëzohet.”, tha Berisha.
Më tej ai shtoi se presione demokratët kanë patur edhe për përdorimin e fjalës narkoshtet.
“Ne kemi denoncuar aferat e tyre. Ne kemi denoncuar narkoshtetin. Përpjekje të mëdha për të na bërë presione që të mos përdorim termin narkoshtet. Përpjekje të mëdha edhe nga lobistët e Edi Ramës. Po si të mos përdorim ne termin narkoshtet?
Kur eksportet zhduken njëra pas tjetrës, sepse narkoeurot rrëzojnë euron. E rrëzojnë me 30%. Po ai që eksporton aq s’e ka fitimin 30%. Dhe ai ka vetëm me euro shkëmben.”, tha ai, duke shtuar se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë dhe në botë që ka ndërtime të mëdha dhe çmimet shkojnë gjithnjë duke u rritur.
Berisha: Balluku nuk duhej të shkonte në Kushtetuese
Kryetari i opozitës vijoi të fliste për një keq-administrim të administratës, që sipas tij nuk e ka patur kurrë Shqipëria.
Në fjalimin e Berishës, nuk mbeti pa përmendur dhe çështja e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga GJKKO, vendim i lënë në fuqi këtë të premte nga Gjykata Kushtetuese.
“Çfarë ka ndodhur tjetër? Ka një degradim ekstrem të administratës. Një administratë anti-qytetare s’e ka pasur vendi kurrë të tillë. Njerëz të cilët drejtor bashkie ai vjedh e vjedh e vjedh, shkon ndërton pallatin 24- me sh Olsi Ramën dhe me Erion Velinë. Çelçi. Vetëm kaq? Jo mor, janë me kudo. E rrëmbyen para ca javësh një Daniel Shima. Dhe unë duke i dalë zot atij disa ditë me radhë. Danieli ishte shërbëtori i tyre, që u kishte bërë nënën milionere duke vjedhur paratë e AKSH-it. Ajo rrobaqepëse dhe regjistroi miliona, miliona euro në emër të saj. Sipërmarrëse.
Urdhëroni gjykatësit. Urdhëroni gjykatësit. Katër seanca. Për çfarë? Për një vendim që në mënyrë absolute nuk u takonte ta shqyrtonin. Po pse? Sepse çdo qytetar, në qoftë se ka një vendim gjykate e fakti, e Shkallës së Parë, e ka rrugën të shkojë tek Apeli, nga Apeli të shkojë në Gjykatë të Lartë, nga Gjykata e Lartë shkon në Gjykatë Kushtetuese.
Kurse Lubia dhe këta gjykatës, direkt në Gjykatë Kushtetuese, e mbajtën dy muaj aty, ajo dy muaj me një ushtri të tërë duke fabrikuar, duke falsifikuar dhe grisur dokumente. Pse kjo? Vetëm e vetëm se ajo është Edi Rama. Po, të jemi të sinqertë. Më hajdute se ajo nuk ka njeri. Por ajo është Edi Rama. Kjo është e faktuar.”, tha Berisha, duke shtuar se opozita ka përballë një organizatë kriminale.
“Në Bruksel kërkojnë zhbërjen e integrimit për Shqipërinë”
Ai përsëriti deklaratën e tij të një dite më parë, që ditët e fundit në Bruksel është diskutuar për të zhbërë procesin e integrimit të Shqipërisë një Bashkimin Europian, për shkak të këtyre zhvillimeve.
“Këto ditë në Bruksel, ka patur mbledhje. Këto tre-katër ditë ka pasur mbledhje me diskutime shumë të rënda për ne. Me variante nga më ndëshkueset. Variant dhe që të zhbëhet i gjithë procesi i integrimit të Shqipërisë.
Do të thotë, të ktheheshim tek marrëveshja tregtare e vitit ’92. T’u bihej vizë asociim-stabilizimit, vizë heqjes së vizave, vizë statusit të kandidatit, hapjes së negociatave, pranimit të kërkesës. Dhe pse? Sepse Edi Rama ka vjedhur dhe kërkon me çdo kusht të bllokojë të bllokojë drejtësinë. Kërkon me çdo kusht që të mos japë llogari para ligjit.”, tha ai.
Berisha: Të gjithë në Tiranë më 10 shkurt
Në fund të fjalimit të tij, kryedemokrati u bëri thirrje qytetarëve të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë që të marrin pjesë në protestën e radhës të opozitës, që do të zhvillohet më 10 shkurt.
“Ndaj dhe, siç keni qenë gjithmonë, gjithmonë keni qenë në krye të përpjekjeve, do jeni dhe tani më 10 shkurt e gjithë Kamza në Tiranë. Dhe u garantoj, u garantoj se kilometrin e fundit do të jetë kilometri më i bukur. Do të jetë kilometri që do të gdhendet në muret e kohës me germa të arta për kontributin tuaj. Faleminderit shumë.“, tha ai.
Berisha vazhdoi të thoshte se 10 shkurti është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për shqiptarët.
“Shumë e rëndësishme. Fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit, Shqipëria ishte në tryezë për shkak të Edi Ramës. Cilat do ishin masat që do merreshin, sigurisht asgjë me ju, me qytetarët. Por me Edi Ramën po. Sepse Edi Rama i faktoi Bashkimit Europian dhe liderëve europianë se nuk ka, nuk njeh normë, parim përveçse vjedhjes dhe lidhjeve me krimin. Dhe ata, kjo është e vërteta, ia prunë mesazhin, i kanë sjellë këtu zyrtarë shumë të lartë në vizita të padeklaruara nga institucionet ndërkombëtare dhe ky mesazhet i ka marrë. Por, ju garantoj se Europa dhe çdo shqiptar pret mesazhin tonë më 10 shkurt. Ai është mesazhi i të gjitha mesazheve. Po. Ai është mesazhi i të gjitha mesazheve.“, u shpreh Berisha, duke shtuar se dy protestat kombëtare të PD-së, kanë qenë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë.
Pas Berishës fjala iu dha qytetarëve, të cilët ngritën shqetësimet e tyre për vendin, dikush për arsimin e dikush për ekonominë.












Botërori 2026 