Kandidatë të fitores i cilëson kryedemokrati Sali Berisha emrat e përzgjedhur të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Pas dorëzimit të listave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kreu i demokratëve tha se në skuadrën e koalicionit opozitar bëjnë pjesë individë që kanë dhënë kontribute për shoqërinë shqiptare.

“Djem, vajza, burra dhe gra që kanë bërë një qëndresë epike gjatë këtyre katër vite të narkoshtetit dhe mafies më të rrezikshme të planetit, mafies sorosiane”, tha Sali Berisha.

Një koment pati për deputetët që u tërhoqën nga gara pasi nuk u futën në listën e mbyllur.

“Nuk është e vërtetë se kanë braktisur se nuk janë në zonë të sigurtë. Një pjesë e tyre kanë preferuar të vazhdojnë jetën e tyre private”, tha kryedemokrati.   

Për PS thotë se ka përfshirë në listën e mbyllur ministra dhe persona që kanë probleme me drejtësinë.

“Shqiptarët panë listën e SKAP-it në krahun tjetër. Të gjithë ministrat me dosje kuintalëshe mbi shpinë. U futën njëri pas tjetrit në listën e mbrojtur për shkakun e vetëm se kanë vjedhur bashkë me Edi Ramën”, tha Berisha.

Në listën e hapur, thotë se PS ka futur patronazhistë dhe hajdutë.

“Të na thotë pak, çfarë është listë e hapur? Hajdutë dhe patronazhistë. Po ta krahasosh Ceno Klosin me Petro Koçin të del Petroja qelibar”, u shpreh Sali Berisha.

Një përgjigje pati edhe për mbrojtjen e Kryeministrit Edi Rama ndaj demokratit Dashnor Sula.

“Mbrojtja e kryeministrit është puthja e Judës. Për Dash Sulën mendoj se hapi që bëri, të rreshtohet me opozitën e opozitës, de facto, me një patericë të Edi Ramës nuk është zgjidhja, në vlerësimin tim”, tha Sali Berisha.   

PD do të garojë në zgjedhjet e 11 Majit së bashku me 24 parti të tjera, ndërsa vetëm disa prej tyre do të kenë kandidatë në listë të mbyllur dhe të hapur, ku më e vlerësuara është partia e PL-së me katër kandidatë në listë të mbyllur.

Klan News