Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se zgjedhjet parlamentare të 11 Majit ishin farsë elektorale.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu, Berisha u shpreh se më 11 Maj nuk pati zgjedhje, por farsë elektorale.

“Ti flet për zgjedhje unë flas për farsë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Proces zgjedhor zhvillojnë pothuajse 99% të vendeve të botës, por narkodiktaturat zhvillojnë farsa elektorale. Ka farsë elektorale, dhe ka zgjedhje.

11 Maji ishte farsë absolute. Marrim faktin a ishin farsë? Janë 16 dokumente ndërkombëtare mbi të cilat bazohet janë garant të parimeve të zhvillimeve të zgjedhjeve.

Dallimi midis farsës dhe zgjedhjeve është pikërisht barazia”, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Partia Demokratike dhe koalicioni i saj “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” fitoi 50 mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste fitoi 83 mandate.

Në vijim të pretendimit të tij, Berisha citoi raportin e OSBE/ODIHR.

“Raporti ka futnota dhe futnotat përtojnë t’i lexojnë, i kam me citime të vëzhguesve një për një, është dhunuar Kodi i Venecias për praktikën e zgjedhjeve të mira.

Është dhunuar ODIHR dhe Kodi i Venecias për parandalimin e keqpërdorimit të administratës dhe burimeve të tij, janë dhunuar direktivat e Këshillit të Europës për zgjedhjet”.

Kryetari i PD akuzoi Kryeministrin Edi Rama për blerje votash.

“Ne hymë në zgjedhje pasi në mes të zgjedhjeve një javë para datës së zgjedhjeve, në Valencia 82 parti politike damkosën zgjedhjet si zgjedhje në të cilat Edi Rama po blen vota me mbjellje kanabisi, me prokurime, me banditë. Janë të shkruara e zezë mbi të bardhë.

U faktua se u zhvillua një farsë elektorale. Ne zbatuam me përpikmëri Kushtetutën e vendit.

Ne mbrojtëm votën e shqiptarëve dhe u bëmë shqiptarëve një shërbim”, tha Sali Berisha.

/tvklan.al