Ftesën e shumicës për të ndërtuar së bashku një platformë dialogu për ndryshimin e Kushtetutës, Sali Berisha e sheh si një skenar që ka qëllim final ndryshimin e arkitekturës së SPAK-ut.

“Ne nuk bashkojmë votat me Edi Ramën dhe ai po përgatit, se tani problemi i tyre është lufta kundër SPAK-ut, se këtu duan të dalin ata, por të harrojnë se do marrin kurrë një votë të PD, pasi ata e kanë betejë politike, nuk e kanë betejë në interes të qytetarëve.”

I pyetur për deklaratat e bëra nga Damian Gjiknuri se janë gati për të diskutuar ndryshimin e sistemit zgjedhor, siç kërkon opozita, me kushtin që çështja tjetër e tryezës së dialogut të jetë ulja e numrit të deputetëve, Berisha, kryedemokrati, në këtë pikë mendon se përparësi ka ligji elektoral.

“PD ka rënë dakord me kërkesën e aleatëve të vet, secili pjesën e vet, kjo është ai ligj dhe ne e bëjmë. Kushte, të cilat kërkojnë të pengojnë këtë, ne nuk i pranojmë. Ne nuk kemi pse t’i pranojmë, sepse ne gjykojmë se pa zgjidhur problemin elektoral, nuk mund të ketë një reformë kushtetuese.”

Socialistët dhe demokratët nuk ndajnë të njëjtin qëndrim edhe për ecurinë e procesit të integrimit. Berisha debatoi në sallën e Parlamentit me Taulant Ballën, i cili lajmëroi se qeveria ka dorëzuar në Kuvend raportin me 86 faqe për të gjithë hapat e hedhur gjatë vitit 2025 dhe 4 muajve të parë të këtij viti për integrimin.

Edhe deklaratat e komisioneres për zgjerimin, Kos, dhe shefes së politikës së jashtme lexohen ndryshe.

“Berisha, e dëgjova, foli për Malin e Zi, ndërsa kur fliste për krimin e organizuar nuk e përmendi emrin, por i referohej Shqipërisë”, tha Balla, duke shtuar:

Bëhuni gati në 2029, bashkë me Malin e Zi, për zgjedhjet europiane.

Koha në foltore Berishës nuk i mjaftoi për të folur për dosjen e AKSHI-t, të cilën e vijoi në oborrin e Parlamentit, ku deklaroi se do të padisin kryeministrin për mashtrim, për deklaratat e tij në mbrojtje të ish-drejtoreshës Mirilinda Karçanaj.

Debatet e paradites u shoqëruan nga tensione në orët e mbrëmjes, ku për shkak se bllokoi foltoren e Kuvendit, deputeti demokrat Luçiano Boçi u përjashtua nga seanca gjatë diskutimit të projektligjit për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore.

Por edhe rifillimi i seancës nuk solli asgjë të re. Dhe, në mungesë të heqjes së masës së përjashtimit të kolegut të tyre, demokratët braktisën, në shenjë solidariteti, seancën plenare.

Tv Klan

/tvklan.al