Nga ai që e ka pagëzuar si Sheshi i Lirisë, Sali Berisha u zotua se me Edi Ramën kryeministër, Partia Demokratike nuk do të marrë më pjesë në zgjedhje.

“Kemi hyrë në betejë vendimtare, me Edi Ramën nuk shkojmë më në zgjedhje. Zgjedhjet ne nuk ia falim kurrë.”, tha Berisha.

Kreun e qeverisë e paralajmëroi nga foltorja me demokratët se nuk do të tërhiqet nga misioni i nisur derisa të garantohet vota e lirë.

“Nuk e lëshojmë më këtë shesh, ky është Sheshi i Lirisë.” “S’do t’i ndahemi atij gjer në ditën e fundit të largimit nga pushteti.”, shtoi ai.

Edin Ramën e akuzoi edhe në orët e pasdites se po tenton të bëjë presion ndaj trupës së Gjykatës Kushtetuese, e cila të martën pritet të vendosë mbi kalimin ose jo për gjykim të kërkesës së qeverisë për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas dhënies së masës nga GJKKO.

 “Edi Rama kërkon t’i diktojë Gjykatës Kushtetuese, por unë i garantoj se vendimet e diktuara të gjykatës që po bën ti, do t’i paguash shumë shtrenjtë.”, vazhdoi Berisha.

Krahas foltores para selisë së qeverisë, Berisha nis turin e takimeve me demokratët të martën nga dega 9 në Tiranë, ndërkohë që paralel me të, ditën e mërkurë nga Durrësi, edhe Ervin Salianji së bashku me Ilir Alimehmetin do të intensifikojnë takimet me demokratët e bazës.

Tv Klan

/tvklan.al