Sali Berisha paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar në protestën kombëtare të 10 shkurtit, duke mos përjashtuar asnjë skenar të mundshëm, nga mosbindja civile e deri tek ngujimi në grevë urie.
“Kemi në plan dhe projekt të gjitha format e mosbindjes civile. Edi Rama të bëjë ç’të dojë, pas diellit të shkojë, shpresë nuk ka, do të shkojë aty ku e ka vendin, te ata që qeverisin me kartel droge. Kryengritje paqësore që s’duhet të ndalet kurrë. Nga sheshi mos largohemi pa realizimin e qëllimit tonë”.
E teksa dorën e bashkëpunimit ia shtriu të gjithë faktorëve opozitarë, pa atakuar nuk la njërin prej tyre, Agron Shehajn.
“Ka moralin të krahasojë PD me PS. Pretendon… ose thotë se është i persekutuar. Krahason PD që çliroi nga burgjet dhe persekutuesit, me PS. Njeriu është i lirë të thotë atë që do. Zgjedhësit, ata që kanë votuar Agron Shehajn, e kanë votuar që ai mos të bashkohet në një front të gjerë opozitar për të larguar të keqen, Edi Ramën. Ata qytetarë konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe. Opozita është e hapur. Ju kam informuar. Ata që duan të bëjnë opozitën e opozitës, janë në shërbim të qeverisë”.
Dera vijon të jetë e mbyllur jo vetëm për Lulzim Bashën, por edhe ish-funksionarë të lartë të Partisë Demokratike, nga ish-Presidenti Bamir Topi e deri tek Astrit Patozi.
“Po flet për intelektualë apo pseudointelektualë, këta janë fatkeqësia e kombit, mjerimi kombëtar. Mirësitë e Bamir Topit ishin pronat e tij, të Bashës paratë e tij, për atë tjetrin pyet ata që i drejtuan fushatën”.
Jo pak kritik ishte edhe ndaj trupit diplomatik në Tiranë, të cilët sipas tij nuk reagojnë për vjedhjet e qeverisë.
“Këtu tregon se lobimi i Edi Ramës ka akoma efektet e tij korruptive të neveritshme”.
Një koment kryedemokrati pati edhe për vendimin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit për t’ia përcjellë çështjen e gjyqtares Irena Gjoka tek Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.
“Sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedent e KLGJ-së, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve organike. KLGJ votoi për të mos ia ndërprerë mandatin, sepse ajo është mike e Gys Agasit dhe jo më pak se e Linda Ramës dhe Edi Ramës, e keqpërdorur në shkallë ekstreme, një delinkuente me krime kushtetuese dhe krime ligjore të rënda”.
Edhe në komunikimin virtual të kësaj të shtune, kryedemokrati iu rikthye çështjes “Balluku”.
“Për të shpëtuar nga Lubia, Edi Rama do ishte i gatshëm t’i shkrinte dhe plumb në vesh, në gjumë”.
Pavarësisht kritikave për primaret në përzgjedhjen e strukturave drejtuese, Berisha tha se ato nuk do të hiqen, por do të përmirësohen konform statutit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 