Në një konferencë për gazetarët, kreu i PD Sali Berisha tha se kryeministri Edi Rama ka bërë mashtrimin më grotesk ndaj shqiptarëve sepse negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nuk janë hapur në vitin 2017 por vetëm para 3 muajsh. 

“Më i ligu ndër të ligjt është gënjeshtari dhe në klubin e më të kqinjëve është gënjeshtari. Dhe në qoftëse se ju merrni Edi Ramën nga 2013 e deri më sot ju garantoj që në të gjithë globin nuk do të gjeni dot një gënjeshtar të dytë si ai. Së pari jeni dëshmitar se si në 2017 zotëria e tij hapi shishet e shampanjës, hodhi me qindra fishekzjarre, dekoroi ambasadorët dhe komisionerët për hapjen e negociatave. Bëri mashtrimin më grotesk të shqiptarëve, u hapën negociatat tha. Negociatat nga 2017 u hapën de facto vetëm para 3 muajve. Negociatat nga dita që Edi Rama festoi me shampanjë, me dekorata e me fishekzjarri morën 8 vite për t’u hapur”, tha Berisha.

Berisha duke përmendur arritjet në kohën e qeverisjes së tij deklaroi se ai është i vetmi që do të bëjë të mundur integrimin e Shqipërisë në BE duke u bazuar vetëm në meritë.

E ndërsa përshëndeti vendimin për shtyrjen pa afat të dy grapitujve për negociatat: “Ndaj dhe përshëndes vendimin që kanë marrë, i garantoj se ylli polar, nordi i qeverisë së Aleancës për Shqipërinë Madhështore, do të jetë integrimi i bazuar në meritë i Shqipërisë në BE. Me Edi Ramën nuk ka integrim. Me Edi Ramën ka mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim”.

“Tani ca thotë? Pasaportën e prodhuar nga qeveria e mëparshme, e nxjerr thotë pasaporta Europiane në vitin 2030. Shiko ku e ka nashtrimin, ai nuk thotë dot në vitin 2029, se e di që nuk do të ndodhë, sepse e di që nuk do ndodhë, e çon në vitin 2030 përtej mandatit që përpiqet të grabisë vetëm për të mashtruar shqiptarët. Unë isha në Podgoricë, ajo audiencë u trondit nga ajo që dëgjoi me fakte. Unë i them Edi Ramës se nuk ke parë gjë akoma, është vetëm fillimi. Kur unë kam deklaruar këtu para jush dhe para botës se Shqipëria nuk plotëson asnjë ktriter, veç kriterit gjeostrategjik e kam bërë me përgjegjësinë më të plotë dhe unë do të ja faktoj kujtdo, edhe shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se kjo është një e vërtetë e pamohueshme.

Ndaj Edi Rama e dorëzon në 12 maj dhe i garantoj shqiptarët se për qeverinë tonë të ardhshme, objektivi numër 1 do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE. Interesi kombëtar më madhor do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE, me një dallim themelor, i bazuar në meritë dhe në asgjë tjetër. Procesi i bazuar në meritë i dha Shqipërisë marrëveshjen e stabilizim asociimit, i dha Shqipërisë heqjen e vizave, i dha Shqipërisë rekomandimin nga Komisioni Europian i statusit kandidat, i dha Shqipërisë ftesën në NATO, i dha Shqipërisë anëtarësimin në NATO. Ka vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është të plotësosh standardet dhe kriteret e procesit të anëtarësimit si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

/tvklan.al