Përmes një video-mesazhi, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi paketën e masave të paralajmëruar nga qeveria për protestat si përpjekje të Edi Ramës për të shpëtuar pushtetin e tij.
“Edi Rama, për të shpëtuar lëkurën e tij, shpalosi dje platformën kriminale të terrorit të kuq. Bazuar në mercenarë, vrasës serialë të paguar 2500 euro, bazuar në mercenarë dhe vrasës serialë të importuar nga jashtë dhe në mjete të teknologjisë së terrorit. Por, protesta e sotme e mijëra e mijëra asistentëve, pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve në mbështetje të studentëve të tyre, përmbysi platformën e terrorit të kuq të Edi Ramës. Kjo që po shohim është fundi i merituar i Edvin Kristaq Xhelatit”.
Sipas Berishës, Tirana po përjeton një terror ku gjimnazistë dhe studentë po dhunohen barbarisht.
“Gjimnazistë e studentë po dhunohen nga grupe narkokriminelë me uniformë. Mbi 2 mijë të mitur studentë janë dhunuar egërsisht, ndaluar apo arrestuar, kanë mbushur burgjet nga Burreli në Berat. Prej një jave kemi para disproporcion të madh ndaj reagimeve në vetëmbrojtje të studentëve kundër shkopinjve të gomës që thyejnë kockat, gazit që po mbyt gjimnazistë e banorë në Tiranë, plumba gome që lëshohen në breshëri, në shkelje të ligjit”.
Teksa u bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, Berisha theksoi se studentët nuk duhet lënë vetëm.
“Çdo qytetar duhet të dëgjojë thirrjen më sublime të të rinjve. Çdo ditë që ti nuk u bashkohesh qytetarëve, Edi Rama zgjat jetën në pushtet. Çdo ditë që Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Shqipëria ka një kosto më të lartë. Por çdo ditë që ti nuk bashkohesh me studentët, Edi Rama zgjat fundin e tij të pashmangshëm”.
Berisha ftoi të gjithë shqiptarët që t’i bashkohen protestës të mërkurën.
“Mos t’i lëmë ata vetëm që të bëjnë betejën e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në orën 10:00 para universitetit, gjer në fitore”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 