Qershori pritet të rikthejë në sheshe opozitën. Në Foltoren e radhës para Kryeministrisë, Sali Berisha tha se protesta e radhës do të vijë me përfundimin e referendumit për zgjedhjen e kreut të PD-së dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
“Unë e kuptoj, të gjithë keni një pyetje në mendjen tuaj: kur është kryengritja tjetër? Ditët më të para pas përfundimit të proceseve në parti.”
Edhe më herët, nga SPAK, ku ishte në zbatim të masës detyrim paraqitje, Berisha paralajmëroi ashpërsim të aksionit opozitar.
“Ju siguroj që ditët më të para të qershorit do të jetë kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria.”
Berisha shigjetoi sërish ish-kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, të cilin e akuzoi se fshehu pasurinë dhe se vettingu ndaj tij ishte i rremë.
“Një mashtrues i shpifur. Vetingu i tij është një proces i rremë, i turpshëm, i dokumentuar. Dumani e deklaron ndërtesën të ndërtuar në vitin 2000, madje edhe të shndërruar në faltore ku luteshin dhe paguanin para çifti anglez, Bel dhe bashkëshortja, në një kohë kur në vitin 2004 toka ishte arë. Kjo deklaratë, që i duhej Altin Troplinit për të larë duart si Pilati në procesin e vetingut, është dorëzuar në veting dhe është tërhequr dhe sot nuk e keni më në dosje dokumentin e mashtrimit.”
Për të gjitha këto, Berisha kërkoi largimin e Dumanit nga detyra si prokuror i SPAK-ut.
“Të japë urgjent dorëheqjen, të shkojë para prokurorisë.”
Krahas hetimeve që tha se vetë organet e drejtësisë duhet të nisin ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Berisha paralajmëroi edhe depozitimin e një kallëzimi penal ndaj Altin Dumanit nga ana e Partisë Demokratike.
/tvklan.al












Botërori 2026 